Europiani 2023 për vajza U-17/ FSHF, organizatore e ndeshjeve të Grupit B4, ja kalendari - FSHF

Europiani 2023 për vajza U-17/ FSHF, organizatore e ndeshjeve të Grupit B4, ja kalendari

Ashtu siç është bërë e ditur edhe më herët, si kurrë më parë, Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë 10 turne gjatë këtij viti futbollistik. Turneu ‘UEFA Development U-16’ për vajza ngriti siparin e këtyre organizimeve të Federatës së Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n.

Fill pas përfundimit të këtij turneu zhvillimor, në Shqipëri do të zbarkojnë përfaqësueset e Islandës U-17 për vajza dhe Luksemburgut U-17 për vajza. Kjo pasi, ashtu sikurse është njoftuar, vendi ynë është përzgjedhur të jetë organizator i ndeshjeve të raundit të dytë të grupit B4, të Ligës B, në kuadër të Kampionatit Europian 2023. Të gjitha ndeshjet e këtij raundi do të luhen në formën e një mini-turneu në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’ nga data 15 në 21 mars, me Shqipërinë që do të përballet në shtëpinë e saj me Islandën dhe Luksemburgun dhe do të tentojë ngjitjen në Ligën A.

Tre takimet e këtij raundi do të luhen në tre ditë të ndryshme. Do të jetë pikërisht sfida Shqipëri – Luksemburg, ajo që do të hapë këtë mini-turne. Takimi është planifikuar të nisë në ora 11:30 në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’. Sakaq, më 18 mars, Shqipëria do të jetë ‘pushim’, teksa në fushë do të zbresë Luksemburg – Islandë, me takimin që do të luhet në ora 11:30 në kryeqytet, në stadiumin ‘Air Albania’. Ndeshja e tretë dhe e fundit do të jetë ajo mes Shqipërisë dhe Islandës, që konsiderohet edhe si sfida më e fortë e grupit. Kjo sfidë është planifikuar të zhvillohet në ora 11:30 në stadiumin ‘Air Albania’.

Kujtojmë që edhe ndeshjet e raundit të parë për këtë grupmoshë, të vlefshme për Kampionatin Europian 2023 u zhvilluan në Shqipëri në muajin tetor.  Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë përgatitjet e duhura për të organizuar me sukses ndeshje të tilla të niveleve europiane, teksa po gjatë këtij muaji do të mirëpresë edhe ndeshjet e fazës ‘Elite’ për djemtë e grupmoshës U-17 që do të tentojnë kualifikimin për në finalet ‘Hungari 2023’.

Kalendari i ndeshjeve për Grupin B4, Liga B:

15 mars

Shqipëri U-17 – Luksemburg U-17, ora 11:30, stadiumi ‘Air Albania’

18 mars

Luksemburg U-17 – Islandë U-17, ora 11:30, stadiumi ‘Air Albania’

21 mars

Shqipëri U-17 – Islandë U-17, ora 11:30, stadiumi ‘Air Albania’