Euro ‘Zvicër 2025’/ Shqipëria e vajzave mbyll përgatitjet & është gati për sfidën vendimtare ndaj Luksemburgut - FSHF

Euro ‘Zvicër 2025’/ Shqipëria e vajzave mbyll përgatitjet & është gati për sfidën vendimtare ndaj Luksemburgut

Kombëtarja e vajzave mbylli sot përgatitjet për ndeshjen zyrtare ndaj Luksemburgut, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Zvicër 2025’.

Skuadra zhvilloi një seancë me ngarkesë të plotë, teksa stërvitja u fokusua më shumë në ushtrime taktike dhe situata loje. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se gjendja e grupit është e mirë dhe nuk ka asnjë futbolliste me probleme fizike.

Kjo ishte seanca e fundit stërvitore para ndeshjes me Luksemburgun që do të luhet nesër në stadiumin “Elbasan Arena” në ora 18:00. Ky takim është shumë i rëndësishëm për objektivat e skuadrës së drejtuar nga trajneri Armir Grima, që kanë si objektiv kryesor kalimin në fazën play-off të kualifikueseve të Kampionatit Europian ‘Zvicër 2025’ dhe ngjitjen në Ligën B. Hyrja në stadium do të jetë falas dhe Federata Shqiptare e Futbollit fton të gjithë tifozët të mbështesin vajzat kuqezi. 

Shqipëria e vajzave renditet në vendin e parë në grupin C5 me 6 pikë të grumbulluara, pas dy fitoreve dhe një humbje.