“EURO 2025” U-21/ Trajneri Bushi: Ndeshja me Malin e Zi, shumë e rëndësishme. Janë nëntë pikë në lojë, luftojmë deri në fund - FSHF

“EURO 2025” U-21/ Trajneri Bushi: Ndeshja me Malin e Zi, shumë e rëndësishme. Janë nëntë pikë në lojë, luftojmë deri në fund

Trajneri i Kombëtares shqiptare U-21, Alban Bushi doli këtë të mërkurë në një konferencë për mediat, në kuadër të ndeshjes kualifikuese të “Euro 2025”, ndaj Malit të Zi (7 qershor, ora 20:00) dhe sfidës miqësore ndaj Lihtenshtejnit (11 qershor, ora 19:00). Trajneri i kuqezinjve nën 21 vjeçarë komentoi listën e 23 lojtarëve të grumbulluar, si edhe deklaroi që është i lumtur për ftesën e Simon Simonit dhe Medon Berishës në listën paraprake të Kombëtares A për Kampionatin Europian.

Alban Bushi u shpreh se ndeshja e shtyrë ndaj Malit të Zi është shumë e rëndësishme pasi janë edhe nëntë pikë në lojë deri në përfundim të edicionit kualifikues. Gjithashtu ai tregoi edhe se si Antzelo Sina pranoi ftesën për të ardhur në Kombëtare, ndërsa shtoi se rinisja e ndeshjes ndaj Malit të Zi në minutën e 27-të mund të jetë e vështirë për lojtarët.

Medon Berisha dhe Simon Simoni pjesë e Kombëtares A në listës paraprake për finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”?-  Në radhë të parë jam i kënaqur me lojtarët që kam në dispozcion për të dyja ndeshjet me Malin e Zi dhe Lihtenshtejnin. Simoni ka qenë pjesë e ekipit A gjatë disa seancave stërvitore, ndërsa Berisha është për herë të parë. Kemi pasur bindje që do të shkonte shumë herët në ekipin A por shkoi më herët se sa pritej. Për ne ka qenë lojtar deçiziv, me personalitet dhe ftesa është mëse e merituar. Kur e kam kontaktuar për herë të parë i premtova shiritin e kapitenit. Ja premtova sepse shihja që kishte shumë personalitet në fushën e lojës, ishte një lider dhe e meritoi plotësisht. Unë i uroj shumë urime dhe shpresoj që ta kemi në ndeshjen tonë me Malin e Zi.

Antzelo Sina si e binde për të ardhur në Kombëtare?- Në radhë të parë është shqiptar dhe normal që zgjedhja e parë mendoj unë që është Shqipëria pavarësisht që kemi pasur disa raste që kanë zgjedhur edhe Greqinë. Është një portier i talentuar dhe mendoj që do të bëjë mirë me Shqipërinë. Është datëlindja 2004 dhe do e kemi në dispozicion në ndeshjen e dytë pasi nuk do të luajë në ndeshjen e parë, atë ndaj Malit të Zi, pasi na lejohet të kemi vetëm ata lojtarë që kishim në fushë para se takimi të ndërpritej, kjo është rregullorja e UEFA-s. Jemi pak në vështirësi pasi do kemi vetëm 12 lojtarë në dispozicion. Nëse do fusim 11-të në fushë i bie që të kemi vetëm një në stol. Më duket diçka e çuditshme, por nuk na lejojnë që të bëjmë zëvendësime të tjera. Rëndësi ka që ne duam të fitojmë, sepse janë tre pikë shumë të rëndësishme për ne. Tani ne kemi 10-të pikë dhe janë edhe tre ndeshje në lojë dhe 19-të pikë unë mendoj që janë vendi i parë ose i dytë, kështu që matematikisht ne duhet të jemi deri në ndeshjen e fundit në lojë, por çdo gjë kalon nga ndeshja me Malin e Zi. Pavarësisht se kemi edhe një ndeshje në Zvicër që është një kundërshtar i fortë por dikur na ka mundur edhe Austria 0-4, por ne shkuam në Austri dhe i mundëm 1-5. Prandaj dua të them që kjo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe lojtarët duhet ta dinë shumë mirë që nuk kemi shumë kontigjent për këtë ndeshje dhe duhet të japin të gjithë maksimumin.

Ndeshja do të rinisë aty ku u ndërpre, sa rritet shkalla e vështirësisë? – Nuk mendoj se përbën shumë problem për mua, por për lojtarët edhe mund të jetë pak e vështirë, pasi janë të rinj.  Ndonjëherë vijnë me vështirësi, problem me brezin e ri. Ka disa nga ata që vijnë me veshtirësi, pavarësisht se në Kombëtare nuk vjen njeri me detyrim. Mbaj mend kur ne merrnim ftesën për të luajtur me Kombëtaren, nuk na zinte gjumi, por kohët kanë ndryshuar. Flamuri duhet të vlerësohet, siç e kanë vlerësuar ata që luajnë në ekipin A që janë kualifikuar sot, si Cikalleshi, Uzuni, Muja apo Muçolli, të cilët edhe pse nuk janë pjesë, përsëri e respektojnë vendimin e trajnerit. Në këtë ditë të vështirë në të cilën jemi ne, duhet të kishim të gjithë lojtarët. Për sa i përket formës së lojtarëve, ata kanë luajtur para 20 ditësh, dhe kur luan për Kombëtaren, adrenalina rritet, motivacioni bëhet shumë i madh dhe mund të përballohet ndeshja pa asnjë problem.

Gruda, Hasa e Vata, mos ndoshta Kombëtarja U-21 nuk mjafton? – Patjetër që ne bëjmë punën tonë. Po të shikojmë lojtarët që ka ekipi A sot, kanë ardhur në ekipet zinxhirë të kombëtares së Shqipërisë. Kështu që është bërë një punë e mirë mendoj unë, secili nga ekipet e simodos Drejtoria e Ekipeve Kombëtare, në skautim dhe në kontakt me të gjithë lojtarët që janë jashtë. Këta që përmendi ju mos kujtoni se nuk janë kontaktuar. Të gjithë janë kontaktuar, nuk ka lojtarë shqiptarë që nuk është kontaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Gjithsesi është zgjedhje personale pastaj, zgjedhje me zemër që secili e bën si të dojë. Ne është luks t’i kemi në ekip ato emra që thatë ju, por është zgjedhje e tyre personale. Nuk kam çfarë them për këtë. Kur bëhet fjalë për një talent shumë të madh e kuptoj që mund të shkosh në Kombëtare A direkt. Pastaj kur bëhet fjalë për një lojtar, le të themi shumë i mirë, ka potencial, zhvillimi tij mund të jetë shumë i mirë por nuk e dimë. Kështu që duhet ta tregojë njëherë veten te moshat e Shqipërisë, sidomos tek ekipi U-21. E kemi parë kohët e fundit sa lojtarë kanë ikur nga ekipi U-21 tek ekipi i parë, pafund. Kështu që në radhë të parë duhet të vijnë këtu, pastaj atje”.