EURO 2024/ Shqipëria shkëlqen ndaj Ishujve Faroe, kuqezinjtë marrin fitoren e dytë radhazi - FSHF

EURO 2024/ Shqipëria shkëlqen ndaj Ishujve Faroe, kuqezinjtë marrin fitoren e dytë radhazi

Shqipëria ia del ndaj Ishujve Faroe dhe merr fitoren e dytë të këtij muaji dhe siguron tre pikët e radhës! Kombëtarja shqiptare mundi mbrëmjen e sotme Ishujt Faroe në transfertë me rezultatin 3-1 në një ndeshje mjaft të bukur të zhvilluar nga kuqezinjtë. Golat për Kombëtaren e Shqipërisë u realizuan nga Nedim Bajrami, Kristjan Asllani dhe Ernest Muçi.

Trajneri Silvinjo hodhi në fushë këtë 11-she titullare: Berisha (GK), Mitaj, Gjimshiti, Ismajli, Hysaj, Bajrami, Ramadani, Asllani, Seferi, Asani, Cikalleshi.

Loja nis mirë për kuqezinjtë, të cilët kalojnë menjëherë në avantazh me Sokol Cikalleshin, por gjyqtari anësor ngriti flamurin e verdhë, duke anulluar golin e epërsisë për Shqipërinë. Pak minuta më vonë, mesfushori Kristjan Asllani provoi me një gjuajtje nga distanca, që përfundon mbi kuadratin e portës. Lojtarët shqiptarë kontrollojnë topin mirë dhe kërkojnë golin e epërsisë.

Kuqezinjtë gjejnë avantazhin në minutën e 20-të, teksa autor i golit është sërish Nedim Bajrami. Taulant Seferi pason për mesfushorin kuqezi, me këtë të fundit që kombinon bukur me Asanin, duke kaluar Shqipërinë në epërsi. Në minutën e 32-të, Sokol Cikalleshi Cikalleshi pengohet në zonë dhe arbitri akordon penallti për Shqipërinë. Është sulmuesi kuqezi ai që merr përsipër 11-metërshin, por që u ndal nga portieri kundërshtar. Pak minuta më vonë, Asllani dhe Cikalleshi tentojnë sërish të dyfishojnë rezultatin, por nuk gjejnë rrjetën. Në minutën e fundit të shtesës së pjesës së parë, Ishujt Faroe gjejnë golin e barazimit.

Në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 51-të, Asllani gjen golin e epërsisë, duke provuar nga distanca, me topin që përfundon në rrjetë dhe duke i çuar shifrat në 2-1. Në minutën e 64-t, Cikalleshi jep një top për Taulant Seferin dhe ky i fundit me një gjuajtje brenda në zonë nuk gjen rrjetën. Tre minuta më vonë, Cikalleshi i lë vendin Myrto Uzunit. Ndërkaq, në minutën e 75-të, trajneri Silvinjo hedh në fushë Mehmetin dhe Muçin, në vend të Asanit dhe Bajramit. Raste krijojnë edhe Mitaj nga jashtë zone e Uzuni më pas me të djathtën, me topin që ndalet nga portieri. Në minutën e fundit, trajneri brazilian hedh në fushë Sadikun e Baren dhe nga loja dalin Asllani e Seferi.

Në minutën e 91-të, Muçi kombinon bukur me Uzunin dhe me një gjuajtje me të djathtën gjen rrjetën, duke vulosur rezultatin në 3-1 në transfertën e vështirë ndaj Ishujve Faroe.