Entuziazëm dhe rritje regjistrimesh, projekti “Uniforma Ime” po jep impakt të madh në futbollin e fëmijëve - FSHF

Entuziazëm dhe rritje regjistrimesh, projekti “Uniforma Ime” po jep impakt të madh në futbollin e fëmijëve

Federata Shqiptare e Futbollit vijon shpërndarja e bazës materiale për të gjithë klubet dhe akademitë e futbollit në të gjithë vendit në kuadër të projekti madhor “Uniforma Ime”. Klubet dhe akademitë që e kanë nisur tashmë aktivitetin për këtë sezon dhe marrin pjesë në “Abissnet Superiore” dhe Kategorinë e Parë në të gjitha nivelet e moshave janë pajisur tashmë me uniforma, ndërkohë që procesi po vijon me ritme të shpejta për pajisjen me setet e uniformave edhe të ekipeve që garojnë në kategoritë më të ulëta.

Një iniciativë tejet e rëndësishme e Federatës Shqiptare e Futbollit, që konsiston në ofrimin e një seti me bazë materiale falas çdo fëmije që luan futboll në gjithë Shqipërinë nga mosha U-7 e deri në moshën U-19 veshjet, pa shpenzuar asnjë qindarkë. Nga ky projekt përfitojnë rreth 15 mijë fëmijë në të gjithë vendin, ndërkohë që kostoja e FSHF-së për një sezon shkon në më shumë se 1.5 milionë euro. Një set konsiston në uniformë loje, uniformë stërvitjeje, komplet tutash dhe fëshe kundra shiut për stërvitje së bashku edhe me çantën e stërvitjes.

Impresionet e atyre që do të përfitojnë nga kjo iniciativë janë tejet pozitive, teksa pohojnë se ka një rritje të interesit për të luajtur futboll nga fëmijët, të cilët janë shumë entuziastë dhe e kanë pritur shumë mirë këtë projekt. “Uniforma Ime” redukton ndjeshëm kostot e familjeve shqiptare, që deri më sot kanë harxhuar mbi 23 mijë lekë për t’i siguruar fëmijëve që luajnë futboll uniforma stërvitjeje dhe loje, ndërsa duke filluar nga ky sezon e në vazhdim ky shpenzimet për ta zerohet dhe do të përballohet nga FSHF.

“Në fillim e morëm të gjithë si një pretim që nuk do të realizohej dot, por me kalimin e ditëve ky projekt u konkretizua dhe mendoj që është një nismë jashtëzakonisht e mirë. Është një projekt i mirë menduar, por duhet përmendur edhe projekti i mëparshëm Topi Yt, që të gjitha akademitë dhe klubet në Shqipëri i marrin topat falas, që është një element i rëndësishëm për të luajtur futboll”, – thotë trajneri i Shkëndijës së Tiranës U-19, Luan Pinari duke folur për Fshf.org, i cili vlerëson këtë sakrificë të FSHF-së për të mbështetur fuqishëm futbollin e bazës.

“Pastaj Uniforma Ime si projekt është diçka madhore dhe mbase do mësohemi keq dhe do të kërkojmë akoma më tepër nga FSHF. E falënderojmë shumë FSHF-në për këtë iniciativë, që po na lehtëson shumë punën ne, fëmijëve dhe familjeve shqiptare, që i heq një barrë financiare ofrimi falas i këtyre uniformave dhe do ta shikojmë se çfarë impakti pozitiv do të ketë. Ne që punojmë në terren e ndiejmë dhe e prekim dita ditës dhe të gjithë fëmijët dhe familjet e tyre janë falënderues për këtë projekt që ndihmon shumë futbollin e moshave e që është baza e të ardhmes”, – theksoi Pinari.

Administratori i Akademisë “Djelmnia Shkodrane”, Fatmir Marku, pasi mori bazën materiale për të gjitha ekipet e moshave, u shpreh se ka entuziazëm të madh mes fëmijëve dhe prindërve për këtë iniciativë dhe se do të ndikojë në masivizimin e futbollit.

“Projekti i FSHF-së për ofrimin falas me bazë materiale si për stërvitje ashtu edhe për ndeshje do t’i vlejë shumë sidomos për masivizimin e futbollit te moshat e vogla. Është një projekt që do të ndikojë shumë pozitivisht sidomos në çdo familje shqiptare që të afrojë fëmijët me futbollin. Të gjithë jemi jashtëzakonisht shumë entuziastë me këtë projekt dhe shoh që regjistrimet po shtohen në çdo grup-moshë dhe vërtetë ka rritje të interesit. Fëmijët janë të kënaqur dhe presin me padurim marrjen e uniformave”, – thotë Marku.

Procesi i shpërndarjes së uniformave ka nisur tashmë dhe të gjitha klubet dhe akademitë po e tërheqin bazën materiale në bashkëpunim me përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit.