“Duam të bëhemi pjesë e Kombëtares”, Adijat Seferi e David Zogu tregojnë synimet nga grumbullimi i U19-s - FSHF

“Duam të bëhemi pjesë e Kombëtares”, Adijat Seferi e David Zogu tregojnë synimet nga grumbullimi i U19-s

Kombëtarja U-19 përmbylli të mërkurën grumbullimin 3-ditor me 23 lojtarë të vitlindjes 2005 me pjesën më të madhe që aktivizohen jashtë Shqipërisë. Stafi teknik me në krye trajnerin Armando Cungu ka punuar për tre ditë me radhë, duke testuar të gjithë futbollistët qoftë në stërvitje, ashtu edhe në miqësoret e organizuara brenda grupit.

Në këtë grup ka shumë elementë të talentuar të cilët aktivizohen me klube të njohura jashtë vendit e që kanë shfaqur dëshirën për t’u bërë pjesë e ekipeve Kombëtare të Shqipërisë në të ardhmen. Atmosfera ka qenë vazhdimisht shumë pozitive në grumbullim me djemtë që kanë dhënë maksimumin në fushë për të treguar vlerat e tyre.

Dy nga lojtarët e rinj, Adijat Seferi dhe David Zogu kanë dhënë edhe impresionet e tyre për këtë eksperiencë në prononcimet e tyre për Fshf.org, duke treguar qartë edhe synimet e tyre për të ardhmen. Që të dy janë sulmues dhe aktivizohen me ekipet e Hoffenheim dhe MSV Duisburg në Gjermani. Si Seferi ashtu edhe Zogu synojnë që të jenë në të ardhmen lojtarë të rëndësishëm te ekipeve Kombëtare kuqezi.

Adijat Seferi – “Unë quhem Adijat Seferi, luaj në Gjermani me Hoffenheim dhe jam 18 vjeç. Luaj në pozicionin e sulmuesit. Kur mora ftesën për të marrë pjesë në këtë grumbullim të Kombëtares, sigurisht u gëzova shumë. Ishte babi im ai që më lajmëroi dhe u lumturova shumë. Atmosfera është shumë pozitive këtu, të gjithë na kanë pritur shumë mirë dhe stafi teknik është shumë serioz dhe profesionist. Ky grup vërtetë ka shumë elementë cilësorë në përbërje, lojtarë të talentuar. Synimi im është që të jem pjesë e Kombëtares U-19 fillimisht e më pas të arrij deri në Kombëtaren A. Uroj shumë që ta bind stafin teknik që të jem sërish pjesë e kësaj kombëtareje”.

David Zogu – “Jam David Zogu, aktivizohem si sulmuesi te skuadra gjermane MSV Duisburg, jam 17 vjeç dhe vij për herë të parë në ekipet Kombëtare të Shqipërisë. Vura re menjëherë se grupi i lojtarëve që kemi këtu në grumbullim ka shumë talent dhe mendoj se ka shumë lojtarë që kanë vlera për të qenë pjesë e ekipit edhe në të ardhmen. Do të jap maksimumin për fanellën kuqezi dhe t’u tregoj të gjithëve vlerat e mia. Normalisht që objektivi im i parë është të jem pjesë e Kombëtares U-19 e pastaj të vazhdoj edhe më lart. Është kënaqësi e madhe për mua të vesh fanellën kuqezi të Shqipërisë”.