Departamenti i Edukimit zhvillon takim teorik dhe sesion praktik me stafin teknik të shoqatave rajonale - FSHF

Departamenti i Edukimit zhvillon takim teorik dhe sesion praktik me stafin teknik të shoqatave rajonale

Federata Shqiptare e Futbollit organizoi një takim me drejtorët teknikë të shoqatave rajonale, trajnerët e shoqatave, trajnerët e TDS-së dhe trajnerët e Kombëtares së vajzave U-17. Takimi u konceptua në dy seksione, ai teorik i drejtuar nga shefi i Departamentit të Edukimit në FSHF, Sulejman Starova dhe ai praktik, i drejtuar nga trajneri i Kombëtares U-17, Andrea Tedesco.

Përgjatë diskutimit teorik u prezantuan tema specifike që lidhen me taktikën dhe teknikën individuale, ndërsa në fazën praktike u demonstrua se si mund të punohet konkretisht me raste specifike për t’i vënë në zbatim teknikat e mësuara.

Fokusi i këtij takimi ishte zhvillimi i trajnerëve dhe përditësimi me metodologjinë e punës, duke qenë se edhe kursi UEFA C që mbahet nga Departamenti i Edukimit ka pësuar disa modifikime, për t’u bërë më specifik, në mënyrë që trajnerët të marrin njohuritë e duhura.

Ky takim vijon linjën e aktiviteteve të tilla të ndërmarra nga Departamenti i Edukimit në FSHF për të trajnuar stafin teknik të shoqatave rajonale, në mënyrë që ata të transmetojnë njohuritë e marra te trajnerët e klubeve të rajonit të tyre.

Federata impenjohet prej një viti në organizimin e takimeve të tilla për të monitoruar rritjen profesionale të trajnerëve të fëmijëve 6-12 vjeç, të cilët përbëjnë bazën e futbollit dhe përgatitja e tyre është thelbësore për mbarëvajtjen e këtij procesi.