Deklaratë për mediat e Federatës Shqiptare të Futbollit - FSHF

Deklaratë për mediat e Federatës Shqiptare të Futbollit

Vazhdon fushata e dezinformimit dhe mashtrimit nga gazeta “Panorama”, e dirigjuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. Përditë, me gjithë përgënjeshtrimet dhe deklaratat e bëra, kjo media joprofesionale dhe e vënë në shërbim të klaneve politike që me patjetër duan të sajojnë diçka, për të bindur opinionin publik se në FSHF ka abuzime, shpërdorime sidomos me fondet, sot ka fabrikuar lajmin e rremë se pagat e punonjësve të FSHF-së janë trefishuar.

Kjo përpjekje qesharake, që i ngjan asaj të një dite më parë pasi simotra e saj “Panorama Sport” në titullin kryesor shkruante “Ceferin nxjerr blof Dukën dhe nuk vjen në Tiranë”, ndërkohë që presidenti i UEFA-s aktualisht ndodhet në kryeqytet për një vizitë, vijoi edhe sot teksa kjo fletushkë joprofesionale tentoi përsëri të godasë, duke dezinformuar dhe gënjyer haptazi.

Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet zyrës së saj të financës konfirmon për publikun e gjerë se tabela e pagave nuk ka pësuar asnjë ndryshim në këtë periudhë dhe jo më, të trefishohet. I bëjmë thirrje opinionit publik që të mos ndikohet nga dezinformimi i vazhdueshëm dhe i përditshëm i mediave të kapura nga kryetari i Bashkisë së Tiranës.