TRAJNERI PANUCCI DHE ANDI LILA NË KONFERENCË PËR SHTYP NJË DITË PARA MIQËSORES ME JORDANINË - FSHF

TRAJNERI PANUCCI DHE ANDI LILA NË KONFERENCË PËR SHTYP NJË DITË PARA MIQËSORES ME JORDANINË

Trajneri i kombëtares Christian Panucci ka dalë sonte në mbrëmje në konferencën për shtyp, i shoqëruar nga futbollisti Andi Lila, një ditë përpara ndeshjes miqësore me Jordanine, që do të zhvillohet nesër në orën 20:00 në “Elbasan Arena”. Përfaqësuesja kuqezi pas mbarimit të ndeshjes do të kthehet sërisht në hotel “Tropical” ku dhe është grumbulluar aktualisht, për të vijuar përgatitjet për ndeshjen zyrtare të datës 14 tetor që do të zhvillohet në Izrael.

Trajneri Panucci në fjalën e tij theksoi: “Lojtarë si Grezda, Mavraj, Binaku dhe ndonjë tjetër, kanë luajtur pak këto kohë dhe nesër duhet të luajnë, për të parë më mirë formën e tyre, por edhe për të fituar më shumë minuta në prag të ndeshjes me Izraelin. Grupi ka punuar mirë, është shpirti i duhur për të bërë një ndeshje të mirë nesër. Pres që djemtë të bëjnë një ndeshje të mirë, sepse në fund të fundit luan Kombëtarja. Ka qenë një zgjedhje duke parë radhitjen e Jordanisë në klasifikim. Ka shumë futbollistë të rinj që meritojnë Kombëtaren. Kam qenë i hapur ndaj të rinjve dhe i kam mbledhur, si Vrioni për shembull. Portat janë të hapura për këdo. Nëse skuadra jonë shkon në Skoci dhe ka disa mungesa, si Roshi, Grezda, Sadiku e të tjerë, normale që limitet ulen. Por, nuk do të thotë që kaq janë limitet. Nëse do kishim më shumë lojtarë, do ishte më e plotë skuadra. Nuk është ofenduese, se ka limite në këtë rast. Kroacia u mund me 6 gola në Spanjë.Për një lojtar që luan në Champions League si Hysaj, nuk mendoj se një modifikim me tre mbrojtës do ndryshonte diçka të madhe. Nuk është problem skeme, është një veçanti që ndodh në lojë. Nesër do të shohim në fushë Vrionin, pasi kjo ndeshje është një rast për të dhe të rinjtë e tjerë. Të gjithë janë të disponueshëm dhe së bashku po mendojmë për ndeshjen e radhës ndaj Izraelit.”

Futbollisti Andi Lila në fjalën e tij u shpreh: “Jam që në 2007-ën me kombëtaren dhe sa herë kur vjen ftesa nga kuqezinjtë, nuk më zë gjumi. Është gjëja më e bukur që mund të të ndodhë. Shpresoj që ky zjarr të vazhdojë edhe më tutje. Të jem i sinqertë, forca e ekipit tonë është grupi, dhe nëse ne luajmë si grup, ndeshja do të fliste njësoj. Shpresoj të jetë ndeshje e mirë dhe të bëjmë atë që bëmë 2 vjet më parë. Ne kemi pasur gjithmonë shpirt gare. Megjithatë përpara kësaj, kemi ndeshjen me Jordaninë, pastaj të shohim me Izraelin. Shumë respekt për të gjithë kapitenët. Në kombëtare kapiteni nuk është mbi të tjerët. Këtu janë të gjithë njësoj dhe shpresoj që të gjithë të bëjnë punën në fushë. Nuk duhet të ketë diferenca në ekipin kombëtar. Të them të drejtën, çdo i ri që vjen, nuk ndjen asnjë lloj presioni. Ne u kemi qenë afër. Fundja ne jemi shqiptarë dhe duam të bëjmë sa më mirë në fushë. Ekipi kombëtar ka një të ardhme shumë të ndritur me të rinjtë që kanë ardhur.”-ishin fjalët e Lilës.