Armend Dallku, lamtumirë kombëtares - FSHF

Armend Dallku, lamtumirë kombëtares

Armend Dallku, nuk do të luajë më për kombëtaren shqiptare të futbollit. Lajmi është konfirmuar nga vetë futbollisti, i cili do të vazhdojë karrierën e tij vetëm me klubin ku luan. Armend Dallku, është një nga futbollistët më të spikatur të kombëtares, në dekadën e fundit. Ai ka qenë lojtar stabël, në formacionin e ekipit kombëtar. Dallku numëron 64 ndeshje të luajtura me fanellën e kombëtares, ku ka shënuar vetëm një gol, në fitoren 3-0 ndaj Maltës në 9 tetor të vitit 2008. Kontributi i tij, në skuadrën kuqezi është vlerësuar nga mediat dhe specialistët. Me të mësuar këtë lajm, për largimin e tij nga skuadra kombëtare e Shqipërisë, Presidenti Armand Duka është shprehur: Të vjen keq, që largohet një lojtar me kaq kontribut në ekipin kombëtar. Unë do ta vlerësoja Dallkun, si futbollist dhe si njeri, për atë që ka dhënë në shërbim të skuadrës kombëtare. Dëshiroj ta falenderoj publikisht, për ç’ka ka dhënë dhe i uroj fat dhe suksese”- përfundon Presidenti i FSHF.

Përshëndetje dhe vlerësime, ka marrë futbollisti i shquar, nga ana e stafit të Federatës Shqiptare të Futbollit, nga ekipi kombëtar dhe drejtuesit e tij. Të gjithë, i kanë uruar shëndet dhe suksese.