Anila Basha: Ju tregoj se si po punon FSHF-ja për të masivizuar futbollin e vajzave në Shqipëri - FSHF

Anila Basha: Ju tregoj se si po punon FSHF-ja për të masivizuar futbollin e vajzave në Shqipëri

Anila Basha ka bërë një analizë të detajuar të zhvillimit të futbollit të vajzave në Shqipëri. Anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, njëkohësisht kryetare për futbollin e femrave në vend, ka treguar gjitha planet, si dhe ecurinë e deritanishme të këtij sporti në vend.

Në një lidhje direkte me “Sport Zone” të Gerti Çarçanit, ajo ka zbuluar dhe surprizat që do të rezervojë ky vend i ri kalendarik. Në fund thirrja ka qenë publike për qeverinë që duhet të hapë “thesin” për zhvillimin e futbollit.

– Në çfarë situate është futbolli i femrave në Shqipëri?

– Dihet tashmë që futbolli i vajzave është prioritet. Është në prioritetet e strategjisë së futbollit për kombin, shpallur që nga janari i vitit të kaluar, si shtylla e dytë kryesore në Federatën Shqiptare të Futbollit. Ne jemi duke punuar ngushtësisht me ekipet e Superligës për ta sjellë në shina, jo vetëm kampionatin. Vajzat të trajtohen njësoj si djemtë, të luajnë në stadiume sikurse djemtë. T’u krijojmë kushte në godina dhe pika e tretë, masivizimi i futbollit të vajzave në Shqipëri. Sot që flasim janë 2 mijë futbolliste vajza që marrin pjesë në kampionate të ndryshme. Mendojmë që në fund të 4 viteve, të shkojmë në 4 mijë të tillë. FSHF-ja merret edhe me incetivimin e kampionatit elitë vajza. Ne incetivojmë pjesën më të madhe të vajzave që merren me futboll në Superligë. Pavarësisht se është kërkesë e UEFA-s që një ekip djemsh të ketë një skuadër vajzash, kjo ka qenë e vështirë në fillim. Tani kanë filluar në Shqipëri t’ia marrin dorën. Incentivojmë një pjesë të mirë te shoqatat rajonale nëpërmjet trajnerëve për shkollat, sidomos ato 9-vjeçare. Aty mendojmë se është fidanishtja e talentëve. Këtu dalin elementët më të kualifikuar për të luajtur futboll. Kemi disa projekte të rëndësishme që do ta lançojmë shumë shpejt publikisht. Kemi disa risi të tjera që kanë të bëjnë me trajnimin, për vajzat që duan të bëhen trajnere. Kemi menduar në këtë fillim vit dhe po e diskutojmë për vajzat futbolliste për mënyrën se si duhet të komunikojnë me publikun. Nuk i përmenda pjesën e topave, uniformave, veshjeve.

– Pse duhet një prind që ta çojë vajzën të luajë futboll? 

– Ka qenë shumë e vështirë në Shqipëri që fëmijët t’i orientoje drejt futbollit. Ka qenë më shumë çështje tradite. E para vajzat duhet të luajnë futboll sepse jetojnë në një komunitet shumë social. E dyta harxhojnë një kohë sportive të kënaqshme. E treta, harxhojnë energji shumë pozitive. Jo të gjitha vajzat do të bëhen futbolliste dhe këtë e dijmë. Marrja me sport, çfarëdo lloj sporti, i bën mirë shëndetit fizik dhe mendor. Ne shohim si në zonat rurale ashtu edhe në ato urbane, ka nisur një masivizim i futbollit të vajzave. E kemi parë këtë në disa qytete të vendit. Ka nisur një kompeticion shumë i mirë.

– Jeni para KOKSH-it në zhvillimin e këtij sporti në shkolla?

– Pa lënë mënjanë punën që po bëhet nga KOKSH-i, puna në FSHF me të rinjtë, me uniformat, ju e mbani mend projektin “Uniforma ime”, mbani mend gjithë ceremoninë madhështore që u zhvillua në “Air Albania” stadium me fëmijët e ardhur nga Shqipëria, organizuar nga shoqatat e futbollit. Nuk ishte një organizim bashkish apo në nivel qeverisje. Pra ishte vetë futbolli që e organizoi. Jemi përpara sepse kemi kohë që e kemi nisur këtë projekt. Këto projekte kanë etapat e tyre, që nga mënyra se si trajnohen, edukatorët apo trajnerët në përzgjedhjen e elementëve. Garancitë që duhet t’i jepen familjarëve, pra kanë kohën e tyre.

– Shoqatat e futbollit janë mjaft aktive, pra nuk u krijuan për efekt elektoral?

– Jo, përkundrazi. Ne jemi në fazën e bërjes së asambleve të shoqatave rajonale. Shumë kolegë të mi, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv janë të shpërndarë në rrethe për të bërë një analizë të punës dhe një bilanc 1-vjeçar. Unë do të jem në Lezhë me kolegë dhe njerëz të futbollit për të diskutuar se çfarë kemi bërë dhe çdo të bëjmë. Futbolli është një gjë “ongoing” çdo javë. Ka tempin e vet të organizimit. Çdo ditë jemi të impenjuar për t’i dhënë drejtim gjërave apo vendimarrjes së madhe që duhet për të ecur përpara futbolli. Duhet ta kuptojmë se këtë vit që e kemi shtuar punën, për shkak të asaj ndeshje të madhe të Conference League, kemi marrë 10 turnamente ndërkombëtare. Kjo është një punë e jashtëzakonshme. Kjo kërkon energji të madhe.

– 10 turne ndërkombëtare merr peshë vërtetë që Tirana është kryeqyteti europian i sportit?

– Tirana ishte kryeqyteti europian i sportit vitin e kaluar me finalen e Conference League sepse ju e patë se çfarë ndodhi pak më vonë në Paris. Klima ishte e vështirë, me atë konflikt të shterpë që na harxhuan orë të tëra energjish të kota, ku duhet të ishin fokusuar në të njëjtin drejtim. Vitin e kaluar Tirana ishte kryeqyteti i sportit botëror. 10 turnamente nuk janë pak për t’u organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.

– Vllaznia kampione në çdo sezon. A duhet të rritet rivaliteti?

– Atëherë nuk jemi në realitetin që ju keni parë në vitet e kaluara. Për shembull po të shikoni Tiranën. Unë kam nisur çdo javë që ti shoh edhe vetë për të përmirësuar më pas logjistikën. Nëse deri vjet, Vllaznia bënte 15 gola apo 17 gola Tiranës, këtë vit fituan vetëm 3-0. Pra cilësisht futbolli i vajzave ka filluar të rritet. Kemi vajzat e Apolonisë, të shkëlqyera. Të Partizanit, të jashtëzakonshme. Kanë nisur një projekt me “AS Romën”. Kemi parë që kanë trajnere vajza. Stërviten çdo ditë. Është një punë që po e kryejnë. Janë me status profesioniste. Nuk jemi njësoj siç kemi qenë para 4 vitesh. Jemi munduar shumë dhe nga mënyra se si i incetivojmë. Duhet të punojmë më fort për të gjetur talentet tona.

– Pasioni i çmendur i juaji krijoi dje një “festival femrash” me gazetare të njohura të ekranit…

– Unë kam pasur dëshirë që me vajtjen time si pjesë e Federatës Shqiptare të Futbollit, jo vetëm të merresha me futbollin e vajzave, por të jepja dhe kontributin tim në departamentin e komunikimit. Unë kam pasur synimin që ta hapim Federatën Shqiptare të Futbollit. Mos ta shohim si një bunker. Qytetarët duhet ta dijnë realisht se çfarë ndodh. Nuk jemi shumë të varfër, por as shumë të pasur. Jemi një organizatë që në gjithë botën është fitimprurëse, pse jo në Shqipëri. Duke qenë se vij nga radhët e medias, mendova që janë vajzat gazetare që mund të më japin mua personalisht mbështetjen për promovimin e futbollit të vajzave. E diskutuam në Federatën Shqiptare të Futbollit. Presidenti Duka ishte shumë dakord. Nuk e kishte parë ndonjëherë këtë gjë. Madje dje u surprizuan të gjithë. E pëlqyen këtë dritare të komunikimit. Do të shihni surpriza në vazhdim. Do të ketë ekipe vajzash që do të ndeshen edhe në Air Albania. Do të kemi aktivitete të tjera.

– Vëmendje më të madhe të shtuar në financim për futbollin e vajzave?

– Kjo është emergjente. Jo vetëm për futbollin e vajzave, por për futbollin në përgjithësi. Ne i kërkojmë bashkive zhvillimin e infrastrukturës. Edhe Tiranën duhet ta bëjmë me shumë fusha sepse Tirana ka mbetur vetëm me stadiumin “Air Albania”. Selman Stërmasi nuk po funksionon. Është hapur edhe shtëpia e futbollit tani që do t’i dedikohet ekipeve kombëtare. Vetë FSHF-ja organizon në javë gati 570 ndeshje. Ka nevojë që qeveria të ndihmojë këtë sport në përgjithësi. Ne vazhdojmë të kërkojmë ligjin e sponsorizimit. Të shohim nëse do ta bëjmë ose jo. Marrëdhëniet tona janë shumë të mira. Ka kontakte të vazhdueshme për të marrë projekte. Duhet thënë me forcë që qeveria ta shohë futbollin jo si armik. Ne duhet të çlirojmë dhe energjitë pozitive. Të vijnë dhe politikanët në stadium për të çliruar energjinë pozitive.