“ALBANIAN SPORTS AMBASSADOR”, PËRCAKTOHEN NOMINIMET PËR ÇMIMIN E MADH, PRESIDENT DUKA KRYESON JURINË! - FSHF

“ALBANIAN SPORTS AMBASSADOR”, PËRCAKTOHEN NOMINIMET PËR ÇMIMIN E MADH, PRESIDENT DUKA KRYESON JURINË!

Albanian Sports Ambassador, një brand që tashmë do të jetë pika e referencës për vlerësimin e shumë kontributeve në sport, për emra që kanë luajtur dhe janë aktualisht në aktivitet e sipër në sportet e tyre. Dhe pikërisht, një juri e ngritur enkas për këtë event, kryesuar nga Presidenti i FSHF-së, z.Armand Duka ka përcaktuar sot në mesditë në ambjentet e hotel “Diplomat 2” edhe kandidatët për çmimet përkatëse që do të ndahen në Gala’-në e madhe të 28 shtatorit në Tiranë. Bordi përkatës i Albanian Sports Ambassador ngriti jurinë përkatëse të drejtuar nga Presidenti Duka, së bashku me anëtarët e tjerë dhe më konkretisht: Ish-basketbollistja Mirza Alibegaj, z. Kujtim Gashi, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Kosovë, znjsh.Luar Arani, Themeluese dhe menaxhere projektesh, z.Roland Bischof, Themelues i Albanian Sports Ambassador dhe German Football Ambassador, si edhe gazetari Elert Yzeiri. Juria ka përcaktuar sot edhe nominimet përkatëse për katër çmimet që do të ndahen në fund të shtatorit në spektaklin në Pallatin e Brigadave dhe më konkretisht:

  1. Çmimi kryesor i Albanian Sports Ambassador
  2. Çmimi i nderit
  3. Çmimi i Audiencës
  4. Çmimi New Entry.

Presidenti i FSHF-së, z.Duka, njëherësh edhe kryetar i Jurisë së ngritur për ndarjen e këtyre çmimeve vlerësoi këtë iniciativë të ndërrmarë në lidhje me vlerësimin e figurave të sportit që kanë dhënë dhe japin kontributin e tyre: “Falenderoj organizatorët e këtij eventi për ndarjen e këtyre çmimeve. Albanian Sports Ambassador, si një lëvizje e cila lidhet direkt me vlerësimin e figurave në sport, jo vetëm në futboll, për kontributin e tyre që kanë dhënë dhe japin aktualisht. Në lidhje me çmimin kryesor të ASA-s, tre nominimet përkatëse janë: Lorik Cana, ish-kapiteni i ekipit kombëtar, Edvin Murati, ish-futbollist i ekipit përfaqësues si edhe Igli Tare, ish-sulmues i ekipit kombëtar dhe aktualisht Drejtor Sportiv te Lacio. Të tre ju i njihni për kontributet që ata kanë dhënë dhe vijojnë të japin për futbollin”,- theksoi presidenti Duka në prezantimin e tre kandidaturave për Çmimin Kryesor të Albanian Sports Ambassador.