“A Home game for Europe”/ FSHF mirëpret turneun e ambasadave në “Shtëpinë e Futbollit” - FSHF

“A Home game for Europe”/ FSHF mirëpret turneun e ambasadave në “Shtëpinë e Futbollit”

FSHF në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane në Shqipëri organizoi në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” Kampionatin Europian të Ambasadave, në kuadër të finaleve të “Gjermani 2024”, ku do të marrë pjesë edhe Shqipëria.

Të ftuar në këtë aktivitet në “Shtëpinë e Futbollit” ishin Ambasadorë, përfaqësues të Trupit Diplomatik të Ambasadave dhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.

Në këtë aktivitet i cili u organizua në formën e një mini-turneu futbolli morën pjesë 6 ekipe, nga të cilat 5 prej tyre ishin përfaqësues të disa ambasadave dhe një ekip nga FSHF.

Ekipet pjesëmarrëse në këtë turne ishin nga Ambasada gjermane, austriake, franceze, britanike dhe italiane. Secili ekip përbëhej nga 6 lojtarë dhe pas hedhjes së shortit u zhvilluan 7 ndeshje 30 minutëshe, të cilat u gjykuan nga 2 arbitra.

Finalja e turneut rezervoi një përballje mes ekipit të Ambasadës Gjermane dhe Ambasadës Britanike, e cila përfundoi me fitoren e këtyre të fundit me rezultatin 5-2.

Ambasada Britanike mori vendin e parë, ndërsa ajo Gjermane të dytin. Gjithashtu u akordua edhe çmimi i veçantë “Fair Play” për Ambasadën e Austrisë.

Federata Shqiptare e Futbollit mbështet vazhdimisht evente të tilla që nxisin përfshirjen e komunitetit në sportin më të bukur në botë.