5x5/ Beteja për titullin ‘Kampion Kombëtar’, 4 skuadra kalojnë në gjysmëfinale. Njihuni me çiftet - FSHF

5×5/ Beteja për titullin ‘Kampion Kombëtar’, 4 skuadra kalojnë në gjysmëfinale. Njihuni me çiftet

Kampionati Kombëtar i futbollit 5×5, që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit ka zhvilluar përgjatë kësaj jave katër ndeshjet e fazës çerekfinale për këtë sezon të tretë futbollistik. Të gjitha sfidat prodhuan garë mjaft të fortë dhe shumë spektakël, teksa vetëm 4 ekipe ia dolën të siguronin një biletë për në fazën gjysmëfinale të këtij edicioni të tretë.

Kismeti, Prestige MFC, Genius dhe Art Inox janë katër skuadrat ende në garë për këtë sezon, pasi kaluan me sukses çerekfinalet. Kismeti mposhti KS1 me shifrat 4-2 në fazën çerekfinale, një ndeshje mjaft e luftuar nga të dyja skuadrat durrsake. Përballja Vila L – Art-Inox prodhoi gjithashtu një lojë shumë të fortë, me kohën e rregullt që u mbyll me rezultatin 2-2, ndërsa Art-Inox kaloi në gjysmëfinale pasi mundi me penallti 5-4 Vila L.

Prestige MFC nuk e diskutoi fitoren me Six Star, duke triumfuar me shifrat e thella 9-1 e duke siguruar kështu fazën tjetër. MFC Genius – Beautiful Albania ishte një nga takimet më të forta të fazës çerekfinale, teksa koha e rregullt e kësaj ndeshje u mbyll me shifrat 1-1. Nga penalltitë, skuadra e Genius u tregua më e saktë duke fituar me rezultatin 3-2 e duke kaluar në gjysmëfinale.

Në shortin e hedhur këtë të shtunë nga specialistët e Departamentit të Futbollit Amator janë përcaktuar edhe cciftet gjysmëfinaliste. Prestige do të përballet në gjysmëfinale me MFC Genius, ndërsa Art-Inox do të luajë kundër Kismetit. Gjysmëfinalet do të luhen më 6 korrik, në ora 19:00 dhe 20:00 në ‘East Park’.

Ndeshjet e fazës çerekfinale të kampionatit 5×5:

MFC Genius 1–1 Beautiful Albania (3-2 me penallti)

KS1 2–4 Kismeti

Prestige 9–1 Six Star

Vila L 2–2 Art Inox (4-5 me penallti)

Çiftet gjysmëfinaliste:

Art Inox– Kismeti, ora 19:00, 6 korrik

 MFC Genius – Prestige, ora 20:00, 6 korrik