PËRFUNDON GARA NË KATEGORINË SUPERIORE, SKËNDERBEU KAMPION KOMBËTAR! - FSHF

PËRFUNDON GARA NË KATEGORINË SUPERIORE, SKËNDERBEU KAMPION KOMBËTAR!

Ka përfunduar këtë të mërkurë edicioni i 79-të i Kampionatit Kombëtar të Kategorisë Superiore për sezonin futbollistik 2017-2018, pas 36-të javësh futbollistike të luajtura, ku fitues janë shpallur korçarët e KF Skëndërbeut, pas një dominimi për gjatë gjithë sezonit, duke e mbyllur garën me 72 pikë në total. Nënkampion kombëtar shpallet skuadra e Kukësit, ndërsa në vendin e tretë renditet në fund të kampionatit Luftëtari i Gjirokastrës. Ndërkaq, skuadrat e Lushnjes dhe të Vllaznisë do të luajnë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë, ndërsa në Superiore rikthehen Tirana së bashku me Kastriotin. Këto ishin edhe verdiktet e këtij kampionati pas 36 javësh kampionat.
Trofeun dhe medaljet e titullit kampion kombëtar, skuadrës së Skënderbeut ia dorëzoi në Korcë, Presidenti i FSHF-së, z.Armand Duka sëbashku me Sekretarin e Përgjithshëm z. Ilir Shulku.
Ekipet pjesëmarrëse në këtë edicion ishin: Kukësi, Partizani, Skëndërbeu, Luftëtari, Teuta, Vllaznia, Laci, Flamurtari, Kamza dhe Lushnja.
Sezoni 2017-2018 startoi pikërisht në qytetin e Kukësit si fitues të edicionit të 78-të të Kategorisë Superiore, duke vijuar më pas me ndeshjet sipas kalendarit të përcaktuar nga FSHF.
Ky format i Kategorisë Superiore me dhjetë ekipe ka filluar të zbatohet pikërisht në edicionin 2014-2015. Sipas vendimit më të fundit të KE, kampionati i ardhshëm i Kategorisë Superiore do të nisë në datë 19 gusht. Ndërkaq të djelën luhet edhe finalja e Kupës së Shqipërisë, mes Skënderbeut dhe Lacit, në stadiumin e Elbasanit. Më poshtë edhe klasifikimi përfundimtar i kampionatit: