DIPLOMOHEN TRAJNERËT E RINJ ME LIÇENSËN “UEFA B”

Një tjetër grup trajnerësh të rinj kanë përfunduar sot me provimin final, kursin disa javor të nivelit “UEFA B”. Pas afro katër javësh teorike dhe praktike, si dhe me testimin përfundimtar obligativ, ata kanë marrë sot diplomat përkatëse në Shkollën e Trajnerëve në Kamzë. Nga data 18 qershor deri më sot, për një periudhë gati një mujore të gjithë kursantët ndoqën një program të detajuar teorik dhe praktik, dhe në fund, si zakonisht i’u nënshtruan provimit përfundimtar.

Në praninë e shefit të sektorit Astrit Maçi, si dhe Alban Tafajit specialist dhe koordinator pranë kësaj zyre, por edhe lektorëve që referuan gjatë këtij muaji në kurs, të gjithë kursantët kanë marrë diplomat përkatëse te nivelit “UEFA B”, me prioritetin përkatës, për të ndjekur më pas nivelin A, apo edhe nivelin maksimal, UEFA Pro. Për faqen zyrtare të FSHF-së, në web, shef i sektorit përkatës, profesor Astrit Maçi theksoi: “Kemi mbyllur sipas planit të punës edhe kursin e trajnerëve për liçensën “UEFA B”. Ajo që mund të theksoj është masiviteti dhe dëshira për pjesëmarrje në të gjitha profilet e kurseve që ne si FSHF realizojmë për të gjithë trajnerët, ku interesi vjen gjithmonë në rritje. Kjo ka reflektuar gjithashtu, edhe gjatë ditëve të zhvillimit të kurseve ku angazhimi dhe serioziteti kanë qenë maksimalë. Programi gjithëvjetor i sektorit është i ngjeshur dhe shumë shpejt do të nisim me një tjetër nivel kursi”,- theksoi Astrit Maçi.

Gjatë gjithë vitit 2018, Sektori i Edukimit në FSHF ka realizuar deri më tani 5 kurse, duke përfshirë këtu edhe këtë që sapo u mbyll.