AKADEMIA E ARBITRIMIT, PAS PAK DITËSH DO TË NISË RAUNDI I DYTË I SHKOLLËS - FSHF

AKADEMIA E ARBITRIMIT, PAS PAK DITËSH DO TË NISË RAUNDI I DYTË I SHKOLLËS

Akademia e Arbitrimit vijon pas pak ditësh me raundin e dytë të projektit të saj për të gjithë kursantët që ndjekin këtë shkollë. Një ide e cila mori udhë vitin e kaluar, pas një iniciative direkte të vetë Presidentit Armand Duka, i cili kërkoi nisjen e një projekti të tillë, për të gjithë ata të rinj e të reja që duan të kenë edhe një karrierë paralele, atë të arbitrimit në futbollin shqiptar dhe jo vetëm. Koordinatori kryesor që ka ndjekur këtë projekt, Sokol Jareci, në një intervistë për faqen zyrtare të FSHF-së në Web thekson etapat e zhvillimit të raundit të dytë.

Z.Jareci, si lindi ideja e Akademisë së Arbitrimit?
-Në seminarin e dimrit 2017, i ftuar si lektor ishte z.David Elleray, anëtar i komisionit të arbitrave të UEFA-s dhe njëkohësisht drejtor i bordit të IFAB(bord i cili bën ndryshimet e Rregullave të Lojës së Futbollit). Gjatë një dreke pune të Komitetit të Arbitrimit ku ishte pjesëmarrës edhe z.Duka, u diskutua në lidhje me edukimin e arbitrave dhe format me të cilën ne bënim formimin e tyre. Nga shkëmbimi i opinioneve dhe eksperiencave të shumta me z.Elleray u propozua nga z.Duka hapja e një Akademie Arbitrimi, e cila përvec pregatitjes së arbitrave të rinj do të përfshinte të gjithë spektrin e edukimit të arbitrave, vëzhguesve dhe instruktorëve të arbitrimit, gjë e cila u përkrah menjëherë nga z.Elleray. Ky ishte sinjali i cili vuri në lëvizje, jo vetëm strukturat e arbitrimit në FSHF, por edhe të gjithë komunitetin e arbitrave.

Si u bë promovimi i kësaj Akademie?
-Nga muaji Mars dhe deri në fund të Majit 2017, anëtarë të KA dhe të shoqatës së arbitrave ju bashkuan nismës së Akademisë së Arbitrimit, nisëm e cila u promovua së pari në Universitetin e Sporteve të Tiranës dhe kjo për vetë faktin se nga ky universitet sportesh historikisht ka dalë numri më i madh i arbitrave. Më pas promovimi vazhdojë në Universitetet e Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Elbasanit dhe Korcës, ku në seancat e promovimit ishin një numër I konsiderueshëm studentësh të cilëve për herë të parë po i ofrohesh një alternativë e re. Një mënyrë tjetër e promocionit ishtë dhe faqja zyrtare e FSHF-ës në të cilin ishin vendosur të gjitha kritëret që një i ri/e re nga mosha 14 – 22 vjec mund të aplikonte on line. Gjithashtu një prmovim u bë dhe nga vetë kolegjumet e arbitrave në Tiranë dhe në rrethe ku dhe njohjet personale ishin pjesë e promocionit.

-Si bëhet edukimi i arbitrave të rinj në Akademi ?
-Periudha në të cilën bëhet edukimi I arbitrave të rinj është e ndarë në dy faza: Faza e parë, e cila zgjat dy javë. Kjo fazë është e përqendruar me së shumti në të mësuarin e 17 Rregullave të Lojës së Futbollit, pra të asaj që konsiderohet si kushtetuta e kësaj loje. Studentëve i shpjegohet me detaje cdo rregull, gjë e cila shoqërohet me foto ose video përkatëse për cdo rregull. Pjesë e leksioneve të kësaj faze janë gjithashtu lëndët mjekësore, ku studentët mësojnë në mënyrë të përgjithshmë si të ruajnë vehten nga dëmtimet, mënyra e të ushqyerit, etj. Lënda e Komunikimit dhe e Psikollogjisë sportive gjithashtu janë pjesë e formimit të arbitrave të rinj. Orë të gjuhës angleze,vecanërisht nga Rregullorja e Lojës, zënë një vend në leksionet e akademisë. Pregatitja fizike e cila nga rëndësia vjen mbas njohurive të Rregullores së Lojës zë një vend të vëcantë në programin e pregatitjes së arbitrave të rinj. Në përfundim të fazës së parë arbitrat e rinj marrin pjesë në kampionatet që organizojnë Ligat amatore(U10, U11. U12, U13, dhe U15) ku ato praktikojnë dijet e tyre të marra gjatë kësaj faze.
Faza e dytë, ka një afat kohe 10 ditor ku në program janë njohuri më të thelluara nga lëndët e fazës së parë por tashmë shtohen orët praktike në fushë ku arbitrat e rinj mësojnë se si duhet të pozicionohet arbitri gjatë ndeshjes, sinjalizimet e ndryshme, mënyra e të vrapuarit, pozicionimi i asistentit gjatë vijës anësore, sinjalizimi me flamur, etj. Gjatë kësaj faze arbitrat e rinj do të arbitrojnë një ndeshje e cila do të filmohet dhe më pas do të analizohet me detaje për të përmirësuar atë c’ka ata kanë bërë gabim në fushë. Në ditët e fundit të akademisë te gjithë arbitrat e rinj do ti nënshtrohen nje testimi teorik dhe fizik në nivel fillestar dhe në fund do të pajisen me një dipllomë e cila u jep atyre të drejtën e kategorisë së 4-ët të arbitrit.

-A janë të interesaur sot të rinjtë për të ndjekur Akademinë e Arbitrimit ? Po vajzat shfaqin interes për këtë të themi “profesion të ri” ?
-Në momentet që ne po bëjmë këtë intervistë interesimi i të rinjve për këtë qe ju me të drejtë e cilësuat si “profesion i ri” është mjaft i madh dhe këtu duhet të kemi parasysh edhe vështirësitë që ky profesion ka jo vetëm në vendin tonë por në mbarë botën ku luhet futboll. Unë dua t’ju sjell një fakt nga ata që sot janë pjesë e Akademisë ku 2 prej tyre janë të moshës 14 vjec dhe 4 të tjerë të moshës 15 vjec, ndërsa pjesën më të madhe e përbëjnë nxënës të shkollave të mesme dhe student të universiteteve.
Vajzat, të cilat janë pjesë e Akademisë vazhdojnë të jenë jo të të pakta në numër dhe për këtë më bën optimist fakti se deri para disa vitesh në Shqipëri nuk luhej futboll femrash dhe nuk kishte arbitra femra, ndërsa sot numri i ekipeve është në rritje dhe padyshim që dhe numri i arbitrave femra, aktive apo dhe pjesë e Akademisë do të jetë në rritje.

Si do të vazhdojë Akademia e Arbitrimit ose më saktë”përgatitja e arbitrave të rinj” ?
-Një brez arbitrash kërkon të paktën një periudhë dy vjecarë që të konsolidohet dhe të futet në ate që ne e konsiderojmë “arbitrim”, pra të kaluarit e stadit nga arbitër lokal(kat.e 4-ët) në arbitër/asistent i kategorisë së tretë, e cila përkthehet se pregatitja e arbitrave të rinj do të bëhet cdo dy vjet, ndërsa funksionimi i Akademisë së Arbitrimit është një procës edukimi i vazhdueshëm.