Dhoma e zgjidhjes se konflikteve, vendimi i dates 29.10.2011, Nr.2 - FSHF

Dhoma e zgjidhjes se konflikteve, vendimi i dates 29.10.2011, Nr.2

V E N D I M

I DHOMËS KOMBËTARE TË ZGJIDHJES SE KONFLIKTEVE

Trupi gjykues i Dhomes Kombetare te Zgjidhjes se Konflikteve (DHKZK), i përbërë nga:

Dashamir Kore          Kryetar

Elion Selmanaj          Anëtar

Aldona Sylaj              Anëtar

asistuar nga  asistenti i sekretarit te Pergjithshem te FSHF-se,  Denis Lilo, si sekretar gjyqesor, sot, me daten 29.10.2011, mori në shqyrtim çështjen qe u perket paleve:

PADITËS:                             Z. Mladen Zizovic, i datëlindjes 27.12.1980, lindur në Rogatica (Bosnja Hercegovina), i perfaqesuar nga Z. Elton Marini, me prokurën e datës 10.10.2011 nënshkruar përpara noterit Jurica Musa në Mostara.

I PADITUR:                         Klubi i Futbollit “Tirana”, përfaqesuar  nga Z. Refik Halili dhe nga avokat Riza Hicka.

OBJEKTI:                            Detyrimin e pales se paditur t’i paguajë paditesit shumen prej 9 900 (nëntë mijë e nëntë qind) Euro.

BAZA LIGJORE:               Dispozitat e kontratës Nr.2268 Rep., Nr.1453/3 Kol., date 31.08.2010.

Trupi Gjykues i Dhomës Kombëtare  të Zgjidhjes së Konflikteve

pasi dëgjoi pretendimin e paditsit, Z. Mladen Zizovic,  i cili kerkoi pranimin e padisë; pretendimin e te paditurit, Klubi i futbollit “Tirana”, i cili kerkoi rrezimin e pjesshëm te padise; mbasi administroi provat dhe e bisedoi çështjen në tërësi,

V Ë R E N

Midis palëve ndërgjyqëse është nënshkruar kontrata  me  Nr.2268 Rep., Nr.1453/3 Kol., datë 31.08.2010 përpara noteres Eriketa Kokoli.

Ne kontraten e mësipermë janë parashikuar kushtet e kontratës, te drejtat dhe detyrimet e paleve (te lojtarit dhe te klubit), është parashikuar gjithashtu se pala e paditur, për sezonin futbollistik 2010-2011 do t’i paguajë lojtarit shumën totale prej 40 000 (dyzetë mijë) Euro si shpërblim për shërbimin e tij si lojtar pranë këtij Klubi, si dhe pagimin i një bonusi prej 5 000 (pesë mijë) Euro në rastin e fitimit të Kupës së Shqipërisë.

Paditës, gjatë gjykimit pretendoi se nga pala e paditur nuk i janë paguar 9 900 Euro, si paga të papaguara për sezonin futbollistik 2010-2011. Ai pohoi se me shtatë mandat-pagesa i është paguar paga mujore nga 3 300 Euro për çdo muaj, gjithsej 23 100 Euro, si dhe me mandat-pagesë të veçantë i është paguar si paradhënie edhe shuma prej 10 000 Euro. Ai pohoi se ka marrë gjithsej nga pala e paditur shumën prej 35 100 Euro dhe se pala e paditur detyrohet t’i paguajë dhe shumën prej 9 900 Euro.

Pala e paditur, Klubi i futbollit “Tirana” pretendoi se paditësi, përveç shumës prej 35 100 Euro, i janë paguar edhe shumat prej 3000 Euro, 3 200 Euro dhe 4 000 Euro, si dhe nga shuma e pretenduar prej paditësit duhet të zbritet 10% e shumës totale që përbën detyrimin që paditësi duhej t’i paguante shtetit për të ardhurat e marra (ose qe do të merrte).

Gjykata, mbasi dëgjoi pohimet e palëve, prapësimet e tyre dhe mbasi administroi provat e paraqitura prej tyre si dhe aktin e ekspertimit Nr. 59, datë 28.10.2011 të ekspertit kriminalist Z. Dritan Zoto, arriti në përfundimin se pretendimet e palës së paditur janë të pabazuara në prova e duhen rrëzuar.

Për shumën 3000 Euro të pretenduar nga pala paditëse “Lista e lojtarëve për shpërblime të Kupës “Republikës” dhe plotësim rrogash të prapambetura”, në aktin e ekspertimit jepet konkluzioni se shkrimi i emrit, mbiembrit si dhe nënshkrimi në këtë dokument nuk janë të paditsit. Pra, nuk provohet se paditësi e ka marrë këtë shumë.

Për shumën prej 4000 Euro, pala e paditur pretendoi në seancë gjyqësore para gjykatës se këtë shumë e ka paguar dhe se do të paraqeste para Gjykatës dokumentin shkresor përkatës. Gjykata i dha kohën e nevojshme palës së paditur për të paraqitur dokumenta që provonin këtë pretëndim të saj, por ajo nuk paraqiti asnje dokument në lidhje me këtë pretendim, madje në seancën e fundit deklaroi se nuk ka më prova për të paraqitur para Gjykatës. Përfundimisht, Gjykata konkludon se ky përfundim është i pa provuar e duhet rrëzuar.

Pretendimi i palës së paditur se paditësit i është paguar edhe shuma prej 3200 Euro, me pretendimin se paditësi para gjykatës pranoi se shkrimi dhe nënshkrimi në dokumentin që ai paraqiti si provë (shënimet e bëra mbi dokumentin e lëshuar nga Intesa San Paolo Bank i datës 24.03.2011) janë të vetat nuk është i vërtetë dhe nuk duhet pranuar. Paditësi gjatë gjykimit pohoi se është e vërtetë që shkrimi dhe nënshkrimi në këtë dokument janë të vetat për shumën 3200 Euro, por kjo pagesë nuk është pagesë tej atyre që ai ka marrë me mandatet e administruara gjatë gjykimit, por përkundrazi, ajo është shumë të cilën ai e ka marrë vetëm një herë, por që për këtë shumë, mbasi janë bërë këto shënime në këtë shkresë të thjeshtë, pagesa është konfirmuar me mandatin e arkëtimit përkatës.

Gjykata, në lidhje me këtë fakt arriti në përfundimin se prapsimi i palës paditëse është i bazuar e duhet pranuar. Gjykata konstatoi se dokumenti i paraqitur si provë nga pala e paditur për pagesën e shumës prej 3200 Euro nuk është një dokument i zakonshëm pagese dhe në të nuk ka datë të kryerjes së kësaj pagese dhe as nuk përcaktohet se cilit muaj i përket si pagë kjo pagesë. Shënimet e shkruara nga paditësi mbi një dokument tjetër, jo dokument pagese, të lëshuar nga Intesa San Paolo Bank, ka mbi të të stampuar prej kësaj të fundit datën 25.03.2011. Kjo nënkupton se kjo pagesë mund të jetë kryer si pagesë për pagën e papaguar të paditësit për periudhën nga fillimi i kontratës përkatëse deri më datën 25.03.2011. Gjykata, mbasi administroi të tetë mandat-pagesat me të cilat pala e paditur ka përmbushur detyrimet kontraktore ndaj paditësit, arrin në përfundimin se paditësit i janë paguar rregullisht nga pala e paditur pagat mujore si dhe shuma e paradhënies. Kjo nënkupton se më datën 25.03.2011, që bën fjalë dokumenti që paraqiti si provë pala paditëse, për të nuk ekzistonte asnje detyrim i prapambetur për t’iu paguar paditësit, pra provohet se kjo pagesë është pagesë e dubluar, praktikë kjo të cilën në parim e pranoi edhe përfaqësuesi i palës së paditur gjatë gjykimit të çështjes, pra se për të njëjtën pagesë janë mbajtur fillimisht dokumenti shkresë e thjeshtë, i cili nuk është një dokument ligjor dhe i rregullt pagese, dhe mandej është prerë mandat-pagesa që ka konfirmuar përfundimisht kryerjen e kesaj pagese prej 3200 Euro e cila është kryer me mandat-pagesën Nr.2735, datë 10.04.2011, e cila konfirmon se është pagesë e bërë për muajin mars.

Gjykata rrëzon si te pabazuar pretendimin e palës së paditur për të zbritur nga detyrimi i kërkuar prej paditësit 10% të shumës si detyrim që paditësi duhet t’i paguajë shtetit për shpërblimet e përfituara. Kjo çështje nuk mund të përbëjë objekt shqyrtimi për Gjykatën, mbasi përmbushja e detyrimit për të paguar ose jo shumën prej 10% të të ardhurave që ka përfituar paditësi, është një detyrim i cili i është ngarkuar atij shprehimisht nga kontrata e lidhur midis palëve. Në rast se ai nuk e paguan këtë shumë, ai është përgjegjës përpara ligjit për plotësimin e këtij detyrimi, por verifikimi i kryerjes ose jo të këtij detyrimi është e drejtë dhe përgjegjësi e organeve kopetente shtetërore dhe jo e kësaj gjykate.

Përfundimisht, duke u mbështetur në sa sipër, padia e paditësit duhet pranuar plotësisht.

Për përcakimin e shumës së shpenzimeve gjyqësore, Gjykata ka parasysh faktin qe pala e paditur i ka parapaguar ekspertit gjysëmn e shpërblimit të tij, në masën 17 500 Lekë.

Për   këto   arsye:

Trupi gjykues i DH.K.Z.K., i F.SH.F., bazuar në nenet 4, 29, 30 te Rregullores së Dhomës  Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve të F.SH.F, si dhe në dispozitat e kontratës Nr.2268 Rep., Nr.1453/3 Kol., date 31.08.2010,

VENDOSI

1.     Pranimin e të padisë së paditësit.

2.     Detyrimin e Klubit të futbollit “Tirana” t’i paguajë paditësit Z. Mladen Zizovic shumën prej 9 900 (nëntë mijë e nëntë qind) Euro si paga mujore dhe shpërblime të papaguara për sezonin futbollistik 2010-2011.

3.     Shpezimet gjyqesore ne masen 100 000 Leke i ngarkohen palës së paditur, Klubit të futbollit “Tirana”.

4.     Kunder ketij vendimi  mund te behet ankim  ne organin e parashikuar ne nenin 34 te Rregullores se DH.K.Z.K. te F.SH.F., brenda 21 diteve  nga shpallja e ketij vendimi .

U shpall sot më datën 29.10.2011 në Tiranë.

    Anetar                             Kryetar                         Anetar

Aldona      Sylaj             Dashamir     Kore              Elion  Selmanaj