Dhoma e zgjidhjes se konflikteve, vendimi i dates 24.06.2013,Nr.1

V E N D I M

I DHOMËS KOMBËTARE TË ZGJIDHJES SE KONFLIKTEVE

Trupi gjykues i Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, i përbërë nga:

Kryetar:  Alban MËSONJËSI

Anëtar:   Pranvera BEHUSHI

Anëtar:  Asian Rama

Asistuar nga sekretari Denis Lilo, sot më datë 24 Qershor 2013, mori në shqyrtim çështjen  me pale, obekt dhe bazë ligjore si më poshtë:

Paditës: Marjo Morina,ish Lojtar i ekipit “Klubi i Futbollit Tirana”, prezent në gjykim dhe i përfaqësuar nga avokat Florenc Kavaja, me adresë rruga Bardhyl, pall.54, shkalla 2, apartament 8, Tiranë.

I Paditur: Klubi i Futbollit Tirana sha,përfaqësuar nga avokat Lorin Burba, me adresë rruga Muhamet Gjollesha, stadiumi Selman Stërmasi, me NIPT L 12220027I.

Objekti:

Detyrim i të paditurit të paguajë rrogat/shpërblimet e papaguara sipas parashikimeve të kontratës; konstatimi i zgjidhjes së njëanshme të kontratës dhe pagesa e shpenzimeve proceduriale.

Baza Ligjore:

Kontrata e nënshkruar mes palëve, aneks kontrata; rregullore e Statusit dhe Transferimit të Lojtarëve; Rregullore e Veprimtarisë Sportive; rregullore e Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve.

Trupi gjykues i DHKZK, pasi mori në shqyrtim çështjen, në seancat e datës 24 qershor 2013; dëgjoi paditësin dhe përfaqësuesin të cilët kërkuan pranimin e kërkesës (padisë); dëgjoj përfaqësuesin me autorizim të Klubit të Futbollit Tirana; pas administrimit të provave dhe analizoi çështjen në tërësi,

V Ë R E N:

Trupi gjykues, ka marrë në shqyrtim kërkesën (padinë) me të dhëna si më sipër. Gjykimi është zhvilluar në seancën e datës 24 qershor 2013, pasi palët më parë kanë dëshuar në zgjidhjen e çështjes me mirëkuptim.

Trupi gjykues vlerëson se, është kompetent për zgjidhjen e mosmarrëveshjes pasi në kontratë parashikohet shprehimisht kompetenca, dhe palët pranojnë kompetencën dhe zgjidhjen e çështjes nga DhKZK.

Trupi gjykues konstaton se, asnjë nga anëtarët nuk ka konflikt interesi ose rast papajtueshmërie për të gjykuar këtë kërkesë padi. Palët gjithashtu janë dakort me përbërjen e trupit gjykues.

Midis kërkuesit Marjo Morina dhe Klubit të Futbollit Tirana është nënshkruar kontrata shërbimi në datë 04.08.2011, e depozituar pranë FSHF dhe e pranuar edhe nga palët present në gjykim. Në bazë të kësaj kontrate, Lojtari është rregjistruar në sektorin e garave dhe ka marrë pjesë në veprimtaritë sportive të organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kjo kontratë është modifikuar me aneks kontratë datë 15-08.2012, ku rritet me vullnetin e përbashkët të palëve përfitimi i Lojtarit (ndërkohë klubi është transformuar në shoqëri aksionere në zbatim të kërkesave ligjore dhe rregullave të FIFA/UEFA).

Kontrata dhe aneks përcaktojn të drejtat dhe detyrimet e palëve, ku më të rëndësishmet për gjykimin konkret janë dispozitat kontraktuale në lidhje me afatit e kontratës,  përfitimet e Lojtarit dhe aspekte të tjera kontraktuale.

Gjatë gjykimit paditësi pretendoj në mënyrë të përmbledhur, si vijon,

-ka pasur një kontratë të rregullt me Klubin e Futbollit Tirana sha, ka përbushur detyrimet e tij në mënyrë të rregullt dhe me cilësi të lartë sportive por, nuk është paguar rregullisht sipas dispozitave kontraktuale; është paguar me vonesë dhe për periudha të caktuara nuk e ka përfituar shpërblimin parashikuar në kontratë dhe aneks kontratë,

-kërkon të detyrohet klubi të kryejë pagesat e përcaktuara në kontratë dhe që kanë mbetur pa paguar nga i padituri,

-kërkon konstatimin e zgjidhjes së kontratës për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve nga ana e Klubit,

-kërkimet e tij bazohen në Kontratën dhe ankes kontratë, ekstraktet e bankës etj.

-vendimi të bazohet në këto prova pasi janë të ligjshme.

Paditësi depozitoj me shkrim pretendimet e tij.

Gjatë gjykimit i padituri pretendoj në mënyrë të përmbledhur, si vijon,

-Klubi ka përbushur në mënyrë korrekte detyrimet financiare ndaj Lojtarit,

-Aneks kontrata e paraqitur nga Lojtari nuk mund të merret si provë pasi nuk plotëson kushtet formalo-juridike për të qenë e vlefshme dhe zgjidhja e mosmarrëveshjes nuk mund të bazohet te kjo ankes kontratë,

-pagesat e pretenduara para themelimit/rregjistrimit të klubit si shoqëri aksionare (data 20 tetor 2011), nuk duhet ti ngarkohen klubit pasi në bazë të kontratës ato i takojnë sponsorit të atëhershëm të ekipit (të periudhës para datës 20 tetor 2011),

-përfitimet në bazë të përqindjes së aktivizimit pretendohen në mënyrë të gabuar, në bazë të pjesëmarrjes në ndeshje të Lojtarit çojn në përfundimin se pagesa është kryer pasi Lojtari përfiton më pak se shuma që pretendon.

Përfaqësuesi depozitoj me shkrim në mënyrë të detajuar pretendimet e tij.

Trupi gjykues pas, administrimit të provave të paraqitura nga palët, arrin në përfundimin se kërkesë padia e paraqitur është e bazuar në prova dhe rrjedhimisht duhet pranuar (pavarësisht se duhet pranuar pjesërisht).

Për të arritur në konkluzionin e mësipërm, trupi gjykues arsyeton se, Kontrata dhe ankes kontrata janë të vlefshme, dhe të detyrueshme për tu zbatuar nga palët nënshkruese të tyre. Cdo mosmarrëveshje që buron nga marrëdhënia e palëve zgjidhet në përputhje me kontratën e datës 4 gusht 2011, dhe ankes kontratën e datës 15 gusht 2012. Rrjedhimisht edhe përfitimet e Lojtarit, që janë në thelb të mosmarrëveshjes së palëve, do të përllogariten në bazë të këtyre dy marrëveshjeve të nënshkruara mes palëve.

Trupi gjykues arrin në përfundimin se, nuk qëndron pretendimi i përfaqësuesit se, nuk provohet me prova pretendimi që Lojtari përfiton një pagesë më të lartë se ajo e parashikuar në kontratën fillestare mes palëve. Ky pretendim nuk qëndron pasi ankes kontrata e datës 15 gusht 2012, është nënshkruar mes administratorit Salih Tagani (përfaqësues ligjor sikurse rezulton nga ekstrakti historik lëshuar nga QKR) dhe Lojtarit Marjo Morina. Kjo aneks kontratë është e ligjshme, sjell pasoja juridike të vlefshme pëqr palët pavarësisht mangësive që ka, aq më tepër që rezulton se, ajo është bërë efektive pasi Lojtari ka përfituar përkohësisht pagesat në bazë të kësaj kontrate.

Gjithashtu trupi gjykues arrin në përfundimin se, nuk qëndron pretendimi i përfaqësuesit të Klubit të Futbollit Tirana sha në lidhje me përmbushjen e detyrimeve financiare në mënyrë korrekte. Ky pretendim bie poshtë si pasojë e faktit se, aneks kontrata e datës 15 gusht 2012, është e vlefshme. Indirekt pagesa sipas aneks kontratës, provohet indirekt nga klubi që ka paguar sipas shpërblimit parashikuar në aneks kontratë.

Nuk qëndron gjithashtu edhe pretendimi se, detyrimet para rregjistrimit të shoqërisë aksionare në datë 20 tetor 2012, i takojnë sponsorit të mëparshëm të ekipit. Ky pretendim nuk qëndron pasi, nga momenti i themelimit dhe rregjistrimit të shoqërisë aksionare,Klubi i Futbollit Tirana sha, merr përsipër të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëveshje të mëparshme, ashtu sikurse i njihen edhe të gjithë titujt sportivë të fituar para themelimit të shoqërisë. Pavarësisht se jemi para një shoqërie tregtare identifikuar me numër të ri identifimiki (NUIS), vetë palët e kanë konsideruar të vlefshme kontratën e nënshkruar para themelimit të shoqërisë (duke pranuar vlefshmërinë e saj edhe në gjykim). Gjithsesi, edhe nëse palët nuk do e pranonin se të vlefshme kontratën, është e gjithëpranuar se të drejtat dhe detyrimet kalojnë tek shoqëria pasi në thelb jemi para transformimit për efekt të ligjit dhe përshtatjes së formës juridike të klubit sipas rregullave të përcaktuara nga FIFA/UEFA.

Trupi gjykues nuk gjen të mbështetur pretendimet e kërkuesit në lidhje me përfitimeve për shkak të minutazhit efektiv të pjesëmarrjes në ndeshje nga Lojtari. Është i drejtë pretendimi i Klubit se, Lojtari përfiton më pak nga përllogaritja efektive e pjesëmarrjes në ndeshje sikurse rezulton nga sistemi COMET. Rezulton e provuar se Lojtari përfiton një shpërblim total duke ulur vlerën prej 51.000 lek nga sa pretendon në kërkimet e tij për shkak të pjesëmarrjes efektive të ndeshje.

Kjo shumë duhet zbritur nga përfitimi total i përllogaritur si mospërmbushje e detyrimeve kontraktuale.

Në lidhje me kërkimin më të rëndësishëm të paditësit dhe konkretisht faktit të konstatimit të zgjidhjes së kontratës për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve financiare, Trupi Gjykues arrin në konkluzionin se ky pretendim qëndron dhe zgjidhja e kontratës për këtë shkak është e vlefshme dhe sjell pasoja juridike për palët. Rezultoj e provuar se, përfitimet e Lojtarit janë më të lartë për shkak të rritjes së përfitimit nëpërmjet aneks kontratës cituar më sipër. Mospërmbushja e detyrimeve financiare në raport edhe me aneks kontratën passjell zgjidhjen e kontratës, qëndrim ky tashmë i konsoliduar i praktikës së Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve. Në rast se konstatohet mospërmbushja e detyrimeve financiare nga ana e klubit, pala tjetër mund të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme por, vetëm në rast se provohet mospërmbushja e pagesës. Në rastin konkret provohet qartë se Klubi nuk ka përmbushur detyrimet e tij financiare ndaj Lojtarit dhe për pasojë ky i fundit mund të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme. Trupi gjykues vëren se, zgjidhja e kontratës në mënyrë të njëanshme, nuk është e vlefshme në rast se provohet pagesa në mënyrë korrekte nga Klubi. Në rastin konkret, u provua në gjykim se, jemi në kushtet e mospërmbushjes së detyrimeve financiare nga ana e Klubit dhe kontrata është zgjidhur për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve financiare. Zgjidhja e kontratës passjell të drejtën e Lojtarit për të nënshkruar kontrata më klube të tjera dhe rregjistrimin e tij në sektorin e garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit me klube të ndryshme.

Për sa më sipër, kërkimet e paditësit dhe kundërshtimet e të paditurit janë analizuar tërësisht nga trupi gjykues dhe arrihet në një konkluzion të drejtë në dhënien e vendimit( duke vlerësuar edhe vendime të ngjashme trajtuar nga DHKZK).

Për këto arsye,

Trupi gjykues i DHKZK, bazuar në Rregulloren e Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, si dhe në aktet e tjera rregullatore, provat e paraqitura dhe praktikë:

V E N D O S I:

1.     Pranimin e pjesshëm të kërkesës (padisë) së Lojtarit Marjo Morina.

2.     Konstatimin e zgjidhjes së kontratës mes palëve nënshkruar në datë 4 gusht 2011, modifikuar me aneks kontratë datë 15.08.2012, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve financiare nga ana e Klubit.

3.     Detyrimin e Klubit të Futbollit Tirana sha të paguajë detyrimin e papaguar në shumën prej  989.000 Lek.

4.     Shpenzimet gjyqësore prej 100.000 lekë i ngarkohen të paditurit Klubi i Futbollit Tirana sha.

5.     Kundër vendimit mund të paraqitet ankim brenda 21 ditëve nga shpallja e këtij vendimi, në organin e parashikuar në nenin 34 të Rregullores së Dhomës Kombëtare të Zgjidhjeve të Konflikteve.

       ANËTAR                              KRYETARI                 ANËTAR

   

      _____________               ______________          ____________

       Pranvera Behushi          Alban Mësonjësi         Asian RAMA