Një delegacion i lartë nga UEFA është takuar sot në selinë e FSHF-së me Presidentin e Federatës së Futbollit, z.Armand Duka dhe me Sekretarin e Pergjithshem z.Ilir Shulku. Pjesë e këtij delegacioni ishte vetë zv.Presidenti i UEFA-s, Grigoriy Surkis, si dhe Thierry Favre’, me detyrën e Drejtorit e Zhvillimit të Federatave Kombëtare në UEFA. Zhvillimet me të fundit të procesit zgjedhor të 7 shkurtit kanë bërë që zyrtarët e lartë nga UEFA të njihen sa më shumë me situatën, por njëherësh edhe të japin mesazhin e plotë dhe të qartë për moscënimin e standarteve zgjedhore nga palët e treta, referuar gjithmonë statuteve të UEFA-s e FIFA-s. Në këtë takim, zv.Presidenti i UEFA-s Surkis së bashku me z.Favre’ kanë biseduar dhe janë njohur me ecurinë e deritanishme të procesit, teksa më pas iu përgjigjën edhe interesit të mediave për prezencën e tyre në Tiranë në vigjilje të zgjedhjeve. Ata theksuan se principet themelore e statutore të UEFA-s e FIFA-s për procesin zgjedhor janë shumë të rëndësishme, dhe primare. Më përpara, delegacioni zyrtar zhvilloi një takim edhe në selinë e Kryeministrisë, ku u priten nga Kreu i Qeverisë, z. Edi Rama.


















