Vllaznia rikthehet në Kategorinë Superiore si fituese e Grupit A - FSHF

Vllaznia rikthehet në Kategorinë Superiore si fituese e Grupit A

Vllaznia është rikthyer në Kategorinë Superiore për edicionin 2019-2020 si fituese e Grupit A. Në ndeshjen e fundit për këtë sezon, shkodranët kanë mundur 1-0 Erzenin falë golit të shënuar nga Erdenis Gurishta në minutën e 44-t të pjesës së parë dhe në fund kanë marrë trofeun e fituesit të grupit që i është dorëzuar nga menaxheri i licensimeve në Federatën Shqiptare të Futbollit, Eduart Gjini.

Një kampionat shumë i vështirë gjatë të gjithë vitit, me skuadrën e Hasan Likës në fillim dhe Agim Canajt më pas, që ka kryesuar gjatë të gjithë sezonit dhe me fitoren e sotme ka kurorezuar në mënyrën më të mirë edhe kthimin në elitën e futbollit shqiptar. Vllaznia do të luajë mesjavën e ardhshme me Bylisin finalen e Kategorisë së Parë për të përcaktuar edhe fituesin e Kategorisë së Parë për edicionin 2018-2019.