Vllaznia fiton Kupën e Shqipërisë në minifutbollin e femrave, Bici: "Kemi bërë progres, por kemi akoma shumë punë" - FSHF

Vllaznia fiton Kupën e Shqipërisë në minifutbollin e femrave, Bici: “Kemi bërë progres, por kemi akoma shumë punë”

Pasditen e së premtes, në qytetin e Shkodrës është zhvilluar finalja e Kupës së Shqipërisë, midis Vllaznisë dhe Tirana AS në minifutboll. Kompeticion që organizohet për herë të parë nga Federata Shqiptare e Futbollit me pjesëmarrjen e tetë skuadrave të kampionatit të femrave, në pushimin ndërmjet dy fazave të garës së tyre.

Vllaznia e femrave e ka merituar këtë Kupë, përmes një loje spektakolare duke fituar me rezultatin 10-1. Golat u shënuan nga Megi Doci plot katër herë ‘3, ’14, ’20, ’21, Sara Maliqi ’25, Esi Lufo ’27, Esmeralda Franja ’32, ’43, Aleksandra Popovic ’36, Jehona Shala ’50 dhe Mesuare Begolli për Tirana AS, në minutën e 15-të.

Kupa dhe medaljet për fitueset e Vllaznisë u dorëzuan nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Vasil Bici, i cili pas ndeshjes për FSHF.tv u shpreh:”Kryefjala e futbollit si për djem dhe për vajza është Vllaznia, duke qenë se është vendlindja e futbollit shqiptar. Mund të them fjalë të mira për skuadrën e Vllaznisë, pasi ka vite që punon mirë dhe e dominon futbollin tonë. Federata Shqiptare e Futbollit ka treguar një kujdes të veçantë, në mbështetjen financiare, dhe mbështetjen logjistike, kemi bërë një progres të shkëlqyer. Mund të them se jemi të lumtur por kemi akoma për të bërë”.

Ardiola Raxhimi, portierja e Vllaznisë, pas ndeshjes u shfaq e emocionuar për suksesin e arritur: “Ndihemi shumë të emocionuara, për ne është bërë traditë të fitojmë kupa. Kjo ishte ndryshe pasi u luajt në futbollin e vogël. Ky rezultat për ne ishte një vlerësim dhe shpresoj që të kemi ecuri pozitive edhe në të ardhmen. Kam një mesazh edhe për prindërit të cilët të angazhojnë fëmijët e tyre e sidomos vajzat në sportin e bukur të futbollit.”

Lazer Matija Presidenti i Vllaznisë për femra, u shpreh: “Mund të them që është një kupë e veçantë pasi është hera e parë që federata e organizon në futbollin e femrave. Mendoj që është një sport i dashur nga shqiptarët dhe aq më tepër nga femrat. Ky lloj futbolli mendoj që i shërben futbollit të madh e aq më tepër skuadrës sime. Më pëlqeu performanca e vajzave dhe besoj se është në rritje, kjo kupë na sherbeu dhe jam i mendim se ky organizim nga FSHF, na shërben të gjithëve në zhvillimin e futbollit të femrave.”