Federata e Futbollit, në bashkëpunim me Bashkinë Gramsh, po vijon zbatimin e projektit për modernizimin e stadiumit “Myslim Koçi”, një investim i rëndësishëm që synon përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e futbollit në qytet.
Projekti parashikon rindërtimin e tribunës kryesore së bashku me të gjitha ambientet teknike të nevojshme, si dhe ndërtimin e fushës së re me bar artificial, sipas standardeve bashkëkohore për zhvillimin e aktiviteteve sportive.
Aktualisht po vijojnë punimet për ndërtimin e tribunës, ndërsa në fazën e ardhshme pritet të nisë edhe puna për realizimin e bazamentit të fushës, një hap i rëndësishëm drejt kompletimit të impiantit.
Ky investim është pjesë e strategjisë së Federatës së Futbollit për zhvillimin e infrastrukturës në të gjithë vendin, me synimin për t’u ofruar klubeve, akademive dhe futbollistëve të rinj ambiente moderne dhe funksionale për stërvitje e gara.
Pas përfundimit të punimeve, stadiumi “Myslim Koçi” do të shndërrohet në një impiant modern sportiv në shërbim të futbollit në Gramsh dhe komunitetit sportiv të zonës, duke krijuar mundësi më të mira për zhvillimin e brezave të rinj dhe rritjen e aktivitetit futbollistik në qytet.
















