Ekipi Kombëtar i të Amputuarve po vijon përgatitjet në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” në kuadër të pjesëmarrjes në turneun ndërkombëtar “Inclusion Cup 2026”, që do të zhvillohet në St. Gallen të Zvicrës, nga 6 deri më 9 gusht.
Në prag të këtij turneu, skuadra kuqezi po zhvillon seanca të rregullta stërvitore për të qenë sa më e përgatitur për sfidat ndërkombëtare.
Si pjesë e mbështetjes së gjithanshme për ekipin, u zhvillua edhe një seancë psikologjike me psikologen Lenida Halilaj. Gjatë seancës u punua për forcimin e aspektit emocional dhe motivues të sportistëve, rritjen e vetëbesimit, si dhe përgatitjen psikologjike për sfidat e turneut.
Këto aktivitete janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit për të garantuar një përgatitje sa më të plotë sportive dhe psikologjike të Ekipit Kombëtar të të Amputuarve, që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Inclusion Cup 2026”.






















