Federata e Futbollit, në bashkëpunim me Shoqatën Rajonale të Futbollit Durrës (SHRFD) dhe Beachee, organizoi me sukses turneun e Futbollit të Plazhit, i cili u zhvillua gjatë fundjavës në Golem.
Aktiviteti mblodhi tetë skuadra pjesëmarrëse: Golemi, Çamëria, Trident, Crewlestwo, KKD, Freskia, Dymbëdhjeta dhe Beachee, të cilat dhuruan emocione, gola dhe sfida spektakolare në një atmosferë festive pranë bregdetit.
Pas tre ditësh spektakolare, skuadra e Golemit u shpall fituese e turneut. Finalja ndaj ekipit Dymbëdhjeta përfundoi në barazim 4-4 në kohën e rregullt, ndërsa fituesi u përcaktua me goditjet e penalltive, ku Golemi triumfoi me rezultatin 3-2.
Në ndeshjen për vendin e tretë, KKD mposhti Crewlestwo me rezultatin 5-4, duke siguruar medaljen e bronztë të kompeticionit.
Turneu i Futbollit të Plazhit solli një tjetër aktivitet të suksesshëm në kalendarin veror të futbollit, duke promovuar sportin, jetën aktive dhe përfshirjen e komunitetit përmes një eventi që tërhoqi interesin e pjesëmarrësve dhe sportdashësve në zonën e Golemit.
Në përfundim të aktivitetit u zhvillua ceremonia e ndarjes së trofeut dhe medaljeve për skuadrat më të mira të turneut, duke kurorëzuar një edicion të mbushur me spektakël dhe emocione sportive.





























