(VIDEO) Megi Doçi është Këpuca e Artë për sezonin 2019-2020 - FSHF

(VIDEO) Megi Doçi është Këpuca e Artë për sezonin 2019-2020

U zhvillua sot në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit ceremonia e dorëzimit të Këpucës së Artë për futbollin e femrave të sezonit 2019-2020. Në këtë ceremoni ku është vlerësuar Megi Doçi për 88 golat e shënuar me fanellën e Vllaznisë. Nuk mund të mungonte Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, i cili theksoi se futbolli i femrave ka qënë gjithmonë një prioritet i madh për Federatën dhe po investohet gjithmonë e më shumë për të arritur nivele edhe më të larta.

E emocionuar, sulmuesja e Vllaznisë dhe e ekipit kombëtar falenderoi Federatën dhe Presidentin Duka për vëmendjen e treguar ndaj futbollit të femrave. “Ndihem shumë e lumtur dhe shumë e gëzuar për vetë faktin se kam punuar shumë në mënyrë individuale por edhe me ekipin. Merita është e shoqeve të skuadrës të cilat duhet ti falenderoj shumë, por edhe stafin teknik të Vllanzisë për mbështetjen që më kanë dhënë. Në skuadër bëhet një punë e madhe për të arritur që unë të shënoj. Champions League në prag? Skuadra është në rindërtim e sipër sepse drejtuesit po punojnë për të gjetur lojtare që të përforcojnë ekipin për mungesat që kemi evidentuar. Mendoj se është duke u bërë një punë shumë e mirë sepse ekipi brenda dy ditësh do të grumbullohet në Shkodër për fazën përgatitore. Do të presim shortin dhe do të shohim. Objektivat e mi për të ardhmen janë të mëdha, duke ditur që unë kam arritur të fitoj gjithçka në Shqipëri, kupa, kampionate, Topin e Artë dhe titullin e golashënueses më të mirë. Do të punoj shumë për të arritur përsëri këto suksese por diçka konkrete në mëndjen time përveç punës nuk ka”, përfundoi Doçi.