Vëllazërorja e dytë Shqipëri - Kosovë mbyllet në barazim - FSHF

Vëllazërorja e dytë Shqipëri – Kosovë mbyllet në barazim

Nuk ka fitues në vëllazëroren e dytë mes Shqipërisë U-17 dhe Kosovës U-17. Miqësorja e radhës mes dy përfaqësueseve, që u zhvillua në stadiumin “Kukës Arena” u mbyll me shifrat 1-1.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku e nisi ndeshjen me këtë formacion: Dervishi, Koleci, Kurti, Bakiu, Damini, Malaj, Belloj, Xhineli, Vranici, Krajka, Duro, me teknikun kuqezi që vendosi të bëjë një rrotacion në mesfushën e sulmin kuqezi.

Ndeshja nis mjaft mirë për të dyja ekipet, teksa kuqezinjtë krijojnë disa raste në fraksionin e parë të lojës, por mungoi finalizimi. 45 minutat e para mbyllen me rrjeta të paprekura, teksa 6 minuta pas nisjes së pjesës së dytë, dardanët kalojnë në epërsi me Gashjan.

Goli ‘shqetëson’ kuqezinjtë e Bulkut, të cilët kërkojnë me ngulm golin e barazimit, që arrijnë ta gjejnë veçse në minutën e 83-të, me kapitenin Adi Kurti, i cili ekzekuton në mënyrë të saktë një penallti.

Ky ishte edhe goli i dytë i Kurtit në këto dy miqësore, pasi ishte sërish saktësia e djaloshit 17 vjeçar që i dha fitoren ekipit të Bulkut në ndeshjen e parë.

7 minutat e mbetura dhe ato të akorduara si shtesë nga arbitri nuk mjaftuan për dy përfaqësueset që u ndanë vëllazërisht me rezultatin e barabartë 1-1.

Në pjesën e dytë të ndeshjes, Bulku aktivizoi edhe disa lojtarë të tjerë, me Hajdarin i cili zëvendëson Xhinelin, Krajka hyn në vend të Malaj, Selmani del për Boden, ndërsa Jaku futet në vend të Belloj. Dashi e Metaj hyjnë në lojë në vend të Vranicit e Duros, me trajnerin Bulku që bën 6 zëvendësime në total.

Këto dy miqësore ishin mjaft të rëndësishme për skuadrën dhe stafin kuqezi të ekipit U-17, me në krye Ervin Bulkun që panë nga afër cilësitë e secilit prej 24 futbollistëve të grumbulluar, për të bërë përzgjedhjet finale me elementët më të mirë që do të përfaqësojnë Shqipërinë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2022/2023 për këtë grup-moshë. Shorti e ka vendosur ekipin e Bulkut në Grupin 7 së bashku me Suedinë, Kroacinë dhe Uellsin.