“Vajzat në fushat e blerta”, speciale e emisionit “Opinion” në TV Klan - FSHF

“Vajzat në fushat e blerta”, speciale e emisionit “Opinion” në TV Klan

Për një periudhë shumë të gjatë futbolli është konsideruar gjerësisht si sporti i meshkujve megjithatë vajzat e moshave të ndryshme nga 5 deri në 13 vjeç, jo vetëm që e konsiderojnë futbollin si karrierë, por disa prej tyre mendojnë se ndeshjet me vajzat janë më të forta dhe më emocionuese se kur luajnë me djem të moshës së tyre.

Të angazhohesh me futbollin që në moshë të vogël është e rëndësishme për disiplinimin, edukimin, socializimin dhe mirëqenien fizike e mendore të këtyre vajzave. Kështu shprehet trajnerja e tyre, Emirjeta Ndoci, e cila prej pesë vitesh përgatit lojtaret e futbollit të së ardhmes, në specialen e përgatitur nga emision “Opinion” në TV Klan për futbollin e femrave.
Gjithashtu, ajo vlerëson mbështetjen e madhe që Federata Shqiptare e Futbollit ka dhënë dhe vazhdon të japë për futbollin e femrave.
“Duke pasur mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit, që na ka suportuar nga ana financiare po ashtu edhe nga ana e bazës materiale, vajzat e kanë futbollin falas, pa pagesë. Fëmijët argëtohen si fillim, pastaj socializohen. Bëjnë shoqe ose shokë të rinj, edukohen nëpërmjet sportit, disiplinohen dhe po ashtu sigurisht janë edhe më të shëndetshëm. Këtu vijnë me shumë gëzim, e shijojnë dhe ka shumë vajza, të cilat janë talente dhe nesër ose pasnesër mund t’i shohim në arenën ndërkombëtare që të përfaqësojnë Shqipërinë’”, thotë Emirjeta Ndoci, e cila pranon se futbolli për vajzat ende përballet me disa tabu në Shqipëri dhe këtë gjë e sheh edhe te prindërit e fëmijëve.

“Kemi hasur problematika në drejtim të mentalitetit të prindërve, sepse nuk e shikojnë futbollin si një sport për femra, por vetëm për meshkuj. Kam vënë re këtu se kur vajzat arrijnë moshën 13 vjeç prindërit nuk i inkurajojnë më që të merren me futboll, por i dekurajojnë që të fokusohen më shumë te mësimet dhe profesionet e tjera. Nuk e imagjinojnë dot vajzën e tyre si futbolliste në të ardhmen”.

Një numër jo i vogël vajzash kanë filluar ta shohin të ardhmen e tyre në fushën e blertë, por jo vetëm si futbolliste. Kejsi Tafili është vetëm 21 vjeç, e certifikuar si arbitre futbolli pak kohë më parë dhe prej një viti e ushtron profesionin e saj intensivisht.

“Dëshira për t’u marrë me arbitrimin lindi vetvetiu. Më pëlqen shumë futbolli, e ndjek vazhdimisht, çdo ndeshje dhe thashë pse mos ta provoj. Të shoh deri ku janë limitet e mia. Më pëlqen shumë të arbitroj ndeshjet e meshkujve sepse kanë shumë grintë, emocion, pavarësisht se dhe ndeshjet e femrave, të themi të drejtën, kanë filluar që të rriten akoma më shumë. Në krahasim me një arbitër mashkull që mund t’i kthehen, t’i kërkojnë llogari, me një femër është krejt ndryshe. E pranojnë vendimin pa e diskutuar. Përderisa i jam futur kësaj rruge, dua të arrij shumë më lart”, – thotë Tafili.

Edhe Nina Nuhu, 18-vjeçarja nga Berati, la qytetin e saj tre vite më parë për të ardhur në Tiranë dhe për të luajtur futboll.
“Në fakt ishte pak e vështirë sepse në atë moshë, gocat nuk lëviznin nga dera e mamit, ndërsa unë ika dhe lashë gjithçka pas dhe e arrita qëllimin. Në Instagram pashë një faqe për futbollin e femrave dhe fola me zv.trajneren, Cyme Lulaj, ajo më mbështeti për gjithçka dhe kur erdha këtu, mu bë më e thjeshtë rruga që unë kisha nisur. Ka pasur shumë, thonin që futbolli nuk është për femra, duhet ta lësh, por unë nuk i dëgjova, sepse kisha dhe mbështetjen e prindërve dhe kjo ishte gjithçka për mua. Babi ndihet shumë krenar që unë luaj futboll”, – thotë Nuhu.

Futbolli femrave në botë ka një histori më të gjatë se sa mendojnë shumica e njerëzve. Në vitet 1890 kishte disa klube sportive të futbollit të femrave që në ndeshjet e tyre tërhiqnin dhjetra mijëra tifozë. Ndërsa shoqata e futbollit të femrave u krijua për herë të parë në vitin 1969.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, tregon se në Shqipëri kjo traditë ka nisur në mënyrë amatoreske në fillimet e viteve 2000.
“Në mënyrë të organizuar, kampionati i parë shqiptar është bërë në vitin 2008, të cilin e ka fituar AS Tirana dhe fitoi edhe Kupën e Shqipërisë në atë vit”, – thotë Presidenti Duka në prononcimin e tij për Opinion, teksa tregon se si u krijuan skuadrat e para të femrave si edhe planin e Federatës për fuqizimin e futbollit të femrave.

“Ka qenë iniciativë e disa individëve, të cilët krijuan skuadrat kryesisht nga zonat e Shkodrës dhe pastaj nga Tirana. Pastaj mbështetja financiare e Federatës së Futbollit, e cila nga viti në vit ka ardhur në rritje dhe në këtë sezon aktual që jemi, i cili fillon këtë të diel, pra kampionati i 13-të kombëtar, që do të jetë me 12 skuadra. Federata e Futbollit ka marrë një vendim të dhjetëfishojë financimin për futbollin e femrave, dhe vetëm pagat direkte të cilat do të shkojnë për të paguar futbolliste, trajnerë apo ato që do të krijojnë ekipe fëmijësh do të jetë një buxhet rreth 1 milionë euro”.
Presidenti i FSHF-së shprehet se interesi për futbollin e femrave ka ardhur në rritje vitet e fundit e për këtë arsye atyre do t’u mundësohen edhe kushte më të mira stërvitjeje, pa harruar edhe hartimin e një plani strategjik për ta zhvilluar më tej.

“Ajo që neve na pëlqen është që të kemi sa më shumë vajza që luajnë futboll, sa më shumë skuadra, sa më shumë trajnere, etj., le të themi femra në futboll. Por gjithsesi ne nuk jemi keq dhe me rezultate. Ekipi ynë kampion vjet, Vllaznia u kualifikua deri në 32 skuadrat më të mira të Europës. Para pak ditësh Vllaznia gjithashtu fitoi kundër kampionëve të Turqisë. Besoj se është një sukses i mirë rezultativ.Në të gjithë shkollat e Shqipërisë, ne stimulojmë mësuesit të cilët krijojnë ekipe vajzash për të bërë stërvitje pasdite. Përveç asaj, kemi një projekti ‘Grow’, i cili shtrihet që në shkollat fillore dhe 8-vjeçare dhe i stimulojmë, i dërgojmë instruktorë, pajisje, mjete didaktike për të zhvilluar futboll dhe aty krijohet një rezervuar për të gjuajtur apo për të parë talentet më të mira dhe për t’i marrë klubet”, – thotë Presidenti i FSHF-së.

Shqiptarët janë një popull që kanë qenë të dashuruar me futbollin ë në prezantimin e parë me këtë sport. Ata prej vitesh kanë bërë tifozllëk për lojtarët e tyre të dashur, bijtë e nipërit që luajnë në Shqipëri dhe jashtë saj. Shumë shpejt mund ta bëjnë këtë gjë dhe për vajzat e mbesat e tyre.