UEFA Women’s Champions League, Vllaznia kualifikohet në turin e dytë! - FSHF

UEFA Women’s Champions League, Vllaznia kualifikohet në turin e dytë!

Vllaznia e femrave është kualifikuar për në turin e dytë kualifikues të UEFA Women’s Champions League pas një fitoreje drithëruese ndaj kampiones së Turqisë, ALG Spor Kulubu që u vendos nga penalltitë. Koha e rregullt e ndeshjes së luajtur sot në stadiumin “Loro Boriçi” përfundoi me rezultatin e barabartë 2-2, teksa vajzat shkodrane kishin qenë dy herë në avantazh falë dopjetës së Gjinit, por nuk mundën të ruanin fitoren. Në minutat e fundit Vllaznia mbeti me 10 lojtare pas daljes me karton të kuq të Currajt.

Në kohën shtesë ekipi turk kaloi në avantazh, mirëpo edhe pse të mmbetur me 10 lojtare në sekondat e fundit të shtesës shkodranet barazuan rezultatin në 3-3 me golin e Bajraktarit. Kështu dy ekipet i drejtuan penalltive për të vendosur se kush do të kualifikohet për në turin tjetër.

Kuqeblutë u treguan më të sakta nga pika e bardhë duke realizuar 3 prej tyre, ndërsa turket shënuan vetëm 2 nga 5 penalltitë.

Kësisoj, Vllaznia kalon në turin e dytë të UEFA Women’s Champions League dhe do të njihet me kundërshtaren e radhës në shortin e datës 6 nëntor. Një sukses i merituar për kampionen e Shqipërisë!