UEFA NATIONS LEAGUE/ SHQIPËRIA FITON NDAJ IZRAELIT 1-0 - FSHF

UEFA NATIONS LEAGUE/ SHQIPËRIA FITON NDAJ IZRAELIT 1-0

Kombëtarja shqiptare e futbollit e drejtuar nga trajneri Christian Panucci ka fituar me rezultatin 1-0 ndaj Izraelit në ndeshjen e parë të vlefshme për UEFA NATIONS LEAGUE. Kuqezinjtë e kanë filluar shumë mirë këtë kompeticion duke marrë tre pikët e para, falë një goli të shënuar  ’55 nga Taulant Xhaka, pas një goditje nga jashtë zone me mjeshtëri. Përfaqësuesja jonë ka krijuar më shumë raste duke e arritur fitoren me meritë ndaj izraelitëve.

Shqipëria luajti me këtë formacion: Strakosha, Binaku, Hysaj, Veseli (’84 Mavraj), Djimsiti, Basha, Memushaj, Xhaka, Guri (’46 Balaj), Hyka (c), Gavazaj (’71 Prenga).

Trajneri Panucci pas ndeshjes u shpreh: “Në këtë moment Strakosha më duket më në formë dhe vendosa për Strakoshën. Kemi dy portierë të shkëlqyer dhe porta është problemi më i vogël që kam për momentin. Duhet të përmirësohemi në daljet me topin në repartin difensiv. Izraeli kishte dy lojtarë shumë të rrezikshëm që na vunë në vështirësi. Lojtarët që kemi në prapavijë këta janë dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse të përmirësohemi për ndeshjen tjetër ndaj Skocisë. Jam shumë i kënaqur me 3 lojtarët debutues. Binaku bëri një ndeshje shumë të mirë, Guri gjithashtu por në ato minuta që luajti u shërbye pak, ndërsa Gavazaj me pëlqeu me lëvizjet e tij. Nuk e shërbyem shumë Gurin dhe për këtë arsye aktivizova Balajn për të pasur më shumë thellësi në aksionet tona sulmuese. Kur humbet të shkelin me këmbë ndërsa kur fiton të ngrejnë në qiell në fund të fundit ky është futbolli. Nuk po viktimizohem por kjo është e vërteta. Tashmë duhet të mbledhim energjitë dhe të mendojmë për ndeshjen ndaj Skocisë, pas asaj sfide mund të themi nëse mund të luftojmë për vendin e parë ose jo. E di që objektivi i presidentit Duka është vendi i parë në grup, ne do të përpiqemi do të sforcohemi shumë dhe shpresojmë të dalim të parët në grup.”