UEFA Development 2019, Shqipëria U-16 humbet me penallti ndaj Perusë - FSHF

UEFA Development 2019, Shqipëria U-16 humbet me penallti ndaj Perusë

Shqipëria U-16 e drejtuar nga trajneri Elvin Beqiri ka filluar sot garën në UEFA Development 2019, duke u përballur me Perunë, ndeshje e cila përfundoi me rezultatin 1-1.

Kombëtarja e 16 vjeçarëve ka zbritur në fushën e lojës me këtë formacion: Rroku(C); Pjeshka; Frroku; Janaqi; Hajdari; Shehu; Mataj; Preka; Bocaj; Hajdaraj; Torraj. Pjesa e parë është dominuar nga skuadra e Beqirit që ka zhvilluar një lojë shumë të mirë, duke krijuar volum loje, por janë ndëshkuar në minutën e 37-të nga Jorge Tandazo pas një gabimi në vendosje nga një goditje këndi. Në fundin e pjesës së parë kuqezinjtë kanë humbur një rast të pastër duke shpërdoruar mundësinë e barazimit. Pjesa e dytë ka parë Shqipërinë të hedhur krejtësisht në sulm, sulme që janë konkretizuar me gol në minutën e 74-të me anë të Torraj që ka shënuar një gol të bukur. Me këtë gol është mbyllur koha e rregullt dhe skuadrat i janë drejtuar goditjeve të penalltive siç parashikon rregullorja e aktivitetit. Nga pika e bardhë e 11 metrave amerikano-latinët janë treguar më të saktë duke fituar këtë ndeshje.

Rrugëtimi i 16 vjeçarëve në këtë kompeticion që po zhvillohet në Slloveni vazhdon ditën e shtunë, me ndeshjen që do të zhvillojnë ndaj Italisë, në orën 16:00. Turneu për kuqezinjtë do të mbyllet ditën e hënë, datë 8 Prill, me ndeshjen që do të zhvillojnë ndaj vendasve të Sllovenisë duke filluar nga ora 11:00.