UEFA B, diplomohen 37 trajnerët e kursit të dytë për 2020 - FSHF

UEFA B, diplomohen 37 trajnerët e kursit të dytë për 2020

Sektori i Edukimit pranë Federatës së Futbollit, ka përfunduar kursin UEFA B, numër 34, që u zhvillua në Shkollën e Trajnerëve në Qendrën Sportive Kamëz. Në këtë kurs morën pjesë 37 trajnerë, të cilët ndoqën plot 120 orë mësimore, sipas kurrikulës së përgatitur nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n.

Licensa UEFA B, është e dyta për vitin 2020. Trajnimi i trajnerëve ka filluar në datën 3 shkurt dhe ka përfunduar në datën 29 shkurt, ku dhe kanë marrë licensën dhe diplomat përkatëse. Ky kurs ka vijuar për 120 orë teori dhe praktikë. Një pjesë të rëndësishme të këtij kursi, zë teoria e metodologjisë sportive (ngarkesat) dhe praktikat në fushën e blertë. Ku të gjithë kursantët, marrin rolin e trajnerit në fushë, duke udhëhequr tema të ndryshme stërvitore. Teknikët që u certifikuan, mund të trajnojnë në ekipet e grupmoshave, pra tek fëmijët dhe tek të rinjtë. Diplomat për trajnerët e licensuar, janë shpërndarë nga drejtuesit e sektorit të Edukimit në FSHF, Astrit Maçi dhe Alban Tafaj.

Aktualisht në këtë shkollë po vijon kursi UEFA Pro, perioda e pestë, që shtrihet përgjatë gjithë vitit 2020.