Fitorja është objektivi i vetëm i kuqezinjve në përballjen e nesërme me Irlandën e Veriut në “Selman Stërmasi”. Trajneri Alban Bushi në konferencën për shtyp foli me vlerësim për kundërshtarin, por theksoi se të tijët duhet të futem të qetë në fushë dhe me ambicien për ta thyer kundërshtarin me shpresën për të kaluar grupin.“Na ka munguar goli. Kemi krijuar raste, nuk kemi pasur vështirësi. Mund të krijosh shumë raste e nuk shënon, por krijon një rast dhe shënon. Nuk them që fati nuk ka qenë me ne, por unë jam i kënaqur nga loja sulmuese. Mendoj që nesër do të shënojmë duke pasur fatin me vete. Shpresoj që këtë herë të shënojmë. Duke parë ndeshjet, ekipet po na rrinë mbrapa. Nuk kemi shumë lojtarë që janë sulmues, qendre. Gjithsesi unë mendoj që nesër do të bëjmë durim, pasi Irlanda e Veriut rri shumë mbrapa dhe del shpejt në sulm. Gjithsesi duhet të kemi durim. Duke pasur dhe ndihmën e publikut duhet të shënojmë, duhet të fitojmë. Patjetër që ekipi e ëndërron kualifikimin, por duke i bërë hyzmetin çdo ndeshjeje. Nëse nuk fitojmë me një lojë të bukur, prapë do të jemi të kënaqur nëse fitojmë. Qëllimi ynë është që të çojmë lojtarë te ekipi Kombëtar A. Tashmë kemi një ekip Shpresa që furnizon mirë ekipin A”, tha Bushi në konferencën për shtyp. Ashtu si trajneri Bushi edhe Keidi Bare është optimist për sfidën me Irlandën.“Unë mendoj se fitorja do të arrihet nëse do të qarkullojmë mirë topin dhe do të luajmë nga krahët. Ata mbyllen shumë, mendoj se qarkullimi i shpejtë i topit do t’i bëjë dëm”, tha mesfushori.

















