U-21/ Vrioni dhe Çelhaka: Në Austri vetëm për tre pikët - FSHF

U-21/ Vrioni dhe Çelhaka: Në Austri vetëm për tre pikët

Giacomo Vrioni dhe Jurgen Çelhaka, dy futbollistët e kombëtares shqiptare U-21 kanë dalë sot në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes që do të luajnë ndaj Austrisë (4 shtator 2020). Dy kuqezinjtë folën përpara mediave për pritshmëritë që kanë në lidhje me ndeshjen në transfertë, për grupin dhe synimet që ka ekipi ynë i shpresave.

Vrioni u shpreh se në ndeshjen me Austrinë skuadra do të japë maksimumin për të fituar dhe tregoi pikat më të forta të ekipit tonë. – “Presim të japim maksimumin siç kemi bërë në të gjitha ndeshjet. Shpresojmë të marrim tre pikë, e dimë që është e vështirë por do ta provojmë sigurisht. Unë nuk mendoj se na pëlqen të barazojmë ndeshjet. Do të kërkojmë sigurisht të fitojmë dhe do të japim maksimumin. Me eksperiencë jemi të gjithë, jo vetëm unë, sepse të gjithë luajmë futboll dhe kur na ka thirrur trajneri këtu do të thotë që jemi të gjithë lojtarë shumë të mirë. Pikë e fortë e kombëtares është grupi dhe sigurisht të japin shpirtin në lojë dhe uroj t’ia dalim të fitojmë.”
Sulmuesi shqiptar foli edhe për kalimin në kombëtaren A dhe eksperiencën e tij në ekipin e Juventusit.”Kombëtarja A? – “Kur të më jepet mundësia, unë do të jap maksimumin deri sa të jem me U-21. Kur të më japë mundësinë trajneri Reja, unë do të jem gati.”

Ndërkaq, Jurgen Çelhaka theksoi se në Austri kuqezinjtë shkojnë me qëllimin e vetëm për të marrë rezultat pozitiv, pavarësisht mungesës së tifozëve. “Ndeshjen normalisht që e ka studiuar trajneri, ajo është detyrë e tij, ne do të zbatojmë udhëzimet që do të na japë profesor Bushi. Ne do shkojmë aty vetëm për rezultat pozitiv. Rezultati pozitiv nënkupton vetëm fitore. Në ekipin përfaqësues është një atmosferë shumë e mirë, grupi është i bashkuar kemi lojtarë shumë të mirë, shpresojmë të arrijmë objektivat. Të fitojmë ndeshjen e radhës dhe pastaj të mendojmë për Andorrën.”- u shpreh mesfushori i KF Tirana.