U-21, Shqipëria fitore e thellë dhe historike në Austri - FSHF

U-21, Shqipëria fitore e thellë dhe historike në Austri

Shqipëria U-21 e drejtuar nga trajneri Alban Bushi ka realizuar një fitore historike sonte në mbrëmje në ndëshjen eliminatore të EURO 2021, Austri 1-5 Shqipëri.

Kuqezinjtë e kanë dominuar përballjen ndaj austriakëve duke e fituar në të dyja fraksionet e lojës, pjesën e parë ka realizuar nga një goditje dënimi me mjeshtëri Sherif Kallaku dhe në minutën e 26-të pas një aksioni të bukur në zonë midis Vrionit dhe Tucit, ky i fundit shënon golin e dytë, Austri 0-2 Shqipëri. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë e lojës që u luajt në stadiumin e “Keine Sorgen Arena” të Riedit.

Pjesa e dytë ka folur sërisht për Shqipërinë, ku i sapohedhuri në fushën e lojës Ernest Muçi, ka treguar saktësinë e tij dhe shënon një supergol përballë portierit austriak në minutën e 64-t. Pas një penalltie të shkaktuar në portën tonë, Austria shënon golin e nderit me anë të Wolf në minutën e 83-të. Shqipëria U-21 nuk është ndalur me këtë rezultat por ka qenë sërish sulmuesi i KF Tiranës, Ernest Muçi protagonist ku ka dribluar mbrojtjen kundërshtare dhe ka shënuar golin e dytë personal ’87 në këtë ndeshje zyrtare dhe golin e katërt për kombëtaren tonë. Në minutën e ’89 të ndeshjes ka shënuar edhe mbrojtësi Adolf Selmani me një goditje të bukur me kokë.

Me rezultatin Austria U-21 1-5 Shqipëria U-21 mbyllet sfida e 4 shtatorit. Në datën 8 shtator kuqezinjtë e Bushit do të presin Andorrën në “Elbasan Arena”.