U-21/ Shqipëria fiton 3-1 kundër Andorrës - FSHF

U-21/ Shqipëria fiton 3-1 kundër Andorrës

Kombëtarja shqiptare U-21 ka fituar sot me rezultatin 3-1 kundër ekipit të Andorrës në sfidën e vlefshme për eliminatoret e Euro 2021.

Ekipi i Shpresave i drejtuar nga trajneri Alban Bushi ishte i pafat në fillim të lojës, pasi në minutën e dytë miqtë shënuan golin e avantazhit me anë të një penalltie.

Kuqezinjtë e U-21 patën disa raste në pjesën e parë, e cila u mbyll 0-1 për Andorrën. Në pjesën e dytë përfaqësuesja U-21 tregohet më kërkuese dhe e gjen golin e barazimit me anë të shtatlartit Adolf Selmani në minutën e 62’. Pas 85 minutash lojë, sulmuesi shqiptar që aktivizohet me ekipin e Juventus, Giacomo Vrioni shënon golin e avantazhit për Shqipërinë me një goditje me kokë nga një asist i shkëlqyer dhuruar nga Marsel Ismailgeci. Në minutat shtesë, pikërisht në të 95’, i sapofuturi në lojë Emiljano Bullari shënon golin që vulosi sfidën dhe fiksoi rezultatin final në shifrat 3-1.

Me këtë fitore Kombëtarja U-21 renditet në vendin e tretë në grup në kuotën e 11 pikëve.