U-21 / Shqipëria barazon me Turqinë në Stamboll - FSHF

U-21 / Shqipëria barazon me Turqinë në Stamboll

Shqipëria e 21 vjeçarëve ka arritur një barazim dramatik 2-2 ndaj Turqisë në ndeshjen e zhvilluar mbrëmjen e sotme në Stamboll. Skuadra e Alban Bushit ka zhvilluar një lojë shumë të mirë, duke marrë një pikë me shumë vlera ndaj një kundërshtari të fortë.

Ndeshja ka filluar me dominimin e vendasve që në pjesën e parë kanë krijuar volum loje të madh duke krijuar presion në portën e portierit Hoxha. Kuqezinjtë nuk arritën të dalin në lojën e tyre më të mirë, por përtej volumit të lojës nga Turqia pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola. Pjesa e dytë fillon me një ritëm tjetër, me Shqipërinë që merr kontrollin e lojës dhe në minutën e 49-të arrijmë të shënojmë me Malokun, pas një krosimi shumë të mirë nga Sherif Kallaku. Në minutën e 54-të, Muldur për vendasit barazon pas një gabimi në qëndër të mbrojtjes. Skuadra e Bushit përtej golit të pësuar, reagojnë shumë mirë duke krijuar raste dhe volum loje, por fati nuk ishte në krahun e tyre që humbasin një gol të sigurtë me Imerin në minutën 74-të. Në minutën e 85-të, Dervishogllu shënon për Turqinë që kalon në avantazh, pasi ka rrëmbyer një top në qëndër të mesfushës tonë. Shqipëria nuk dorëzohet dhe në frymën e fundit, pas një goditjeje nga këndi, Emiljano Bullari shënon golin e barazimit final 2-2. Nuk ka më kohë dhe dëgjohet vërshëllima e arbitrit kryesor.

Shqipëria zbriti në fushën e lojës me këtë formacion: Hoxha, Kumbulla, Maloku, Tafa, Shehu, Imeri, Zejnullai, Kallaku, Pellumbi, Xhixha, Mala (U aktivizuan: Bardhi, Ndreçka, Kalaj, Bullari)