U-21/ Prengaj & Dobra: Kemi skuadër të mirë dhe të fortë - FSHF

U-21/ Prengaj & Dobra: Kemi skuadër të mirë dhe të fortë

Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare U-21, Fatmir Prengaj dhe Armando Dobra kanë dalë ditën e sotme në një konferencë zyrtare për mediat, përpara dy ndeshjeve të tetorit që kuqezinjtë do të zhvillojnë ndaj Andorrës dhe Sllovenisë në stadiumin “Elbasan Arena”. Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi ka nisur grumbullimin që prej ditës së diel në Durrës, teksa po përgatiten intensivisht për ndeshjet kualifikuese të vlefshme për Euro 2023. Fillimisht, kuqezinjtë do të luajnë kundër Andorrës, më 7 tetor ndërsa më 11 tetor do të përballen me bashkëmoshatarët sllovenë.

Fatmir Prengaj, sulmuesi shqiptar që aktivizohet në radhët e Laçit u shpreh se skuadra është e përqëndruar 100% te ndeshja e parë ndaj Andorrës, ndërsa theksoi se objektivi kryesor i skuadrës është të kualifikohet në Europian.

Objektivat për këto dy ndeshje? – Si gjithmonë, Shqipëria synon fitoren dhe fokusimi është Andorra, duhet të marrim 3 pikëshin, pasi është shumë i nevojshëm për ne, më pas mendojmë për Slloveninë, që duhet të fitojmë edhe me këtë ekip, por jemi të fokusuar 100% te ndeshja e parë kundër Andorrës.

Andorra? – Kjo është ndeshja e parë që unë luaj kundër Andorrës dhe skuadra e njeh këtë ekip. Ka djem që janë që në grumbullimin e vjetshëm dhe e njohin dhe besoj se do të marrim maksimumin nga kjo ndeshje dhe ta fitojmë.

Synimet e Kombëtares – Objektivat e Shqipërisë U-21 janë që të kapim Europianin por duhet të bëjmë më të mirën tonë dhe çdo ndeshje ta marrim si të radhës dhe të fitojmë.

Laçi? – Te klubi ndihem mirë, nuk jam aktivizuar shumë por pres që në vazhdim të aktivizohem edhe më shumë.

 

Armando Dobra, sulmuesi shqiptar që sapo është transferuar tek ekipi i Colchester në Angli, ku edhe ka arritur të shënojë së fundmi, u shpreh se kuqezinjtë do të luajnë për fitore në të dyja ndeshjet, pasi grupi është i mirë. Ai foli edhe për klubin teksa shpresoi se do të shënojë sa më shumë.

Ndeshjet ndaj Andorrës dhe Sllovenisë? – Objektivat e skuadrës janë për të fituar të dyja ndeshjet. Kemi një skuadër të mirë dhe të fortë. Do të luajmë kundër Andorrës fillimisht dhe do të luajmë fort, për të marrë 3 pikët dhe pastaj të fitojmë edhe me Slloveninë.

Skuadra e Andorrës? – Kemi luajtur edhe më parë me Andorrën, i kemi mundur 3-0, janë skuadër e fortë dhe të qetë, është ndeshje e vështirë.

Vendi që synojmë në grup? – Objektivat tanë janë të dalim në vend të parë ose në vendin e dytë dhe të kualifikohemi në Europian. Humbjet ndodhin sepse nuk ka ekipe që nuk humbin, por ky është objektivi ynë, pasi kemi skuadër të mirë dhe mund t’ia dalim.

Colchester? – Jam shumë i gëzuar pasi kam bërë golin me ekipin e ri, kam shkuar të bëj gola dhe të tregoj se çfarë lojtari jam unë. E kam nisur mirë dhe shpresoj të bëj edhe më shumë gola me ekipin e ri.