U-17 / Sula dhe Gjuzi optimist para kualifikueseve: “Nuk kemi frikë asnjë kundërshtar” - FSHF

U-17 / Sula dhe Gjuzi optimist para kualifikueseve: “Nuk kemi frikë asnjë kundërshtar”

Shqipëria e 17 vjeçarëve, e drejtuar nga Elvin Beqiri, ka filluar përgatitjet në prag të turneut kualifikues i cili do të zhvillohet në Portugali. Kuqezinjtë në këtë turne që zhvillohet nga data 13 deri në 19 nëntor do të luajnë ndaj vendasve të Portugalisë, Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

Për të folur për përgatitjet e skuadrës dhe gjëndjen në prag të ndeshjeve kualifikuese, kanë dalë sot në konferencë për shtyp mesfushori Eogen Sula dhe sulmuesi Ilir Gjuzi. Mesfushori Sula në fjalën e tij nënvizoi faktin se skuadra po stërvitet mirë dhe do bëjnë maksimumin. “Jemi gati, jemi ekip i fortë dhe i mirë. Shpresoj që t’ia dalim. Atmosfera është shumë e mirë, ndihmojmë njëri-tjetrin, jemi shumë shokë dhe ruhemi që të mos dëmtojmë njëri-tjetrin. Them se jemi një grup shumë i mirë. Këto ndeshje janë shumë të rëndësishme, pasi na ndihmojnë ne individualisht dhe kombëtaren tonë e rrisim si ekip. Shpresojmë që t’ia dalim”.

Sulmuesi Gjuzi u shpreh se skuadra është mirë dhe gati për ndeshjet kualifikuese. “Skuadra është plotësisht gati për në Portugali. Të gjithë po stërvitemi fort dhe do bëjmë çmos që të kualifikohemi. Nëse e tregojmë në fushë, pse jo, shanset janë të mëdha. Nuk i druhemi askujt, nëse jemi grup mund t’ia dalim ndaj çdo skuadre, mund ta mundim. Këto grumbullime janë shumë të rëndësishme, pasi marrim më shumë eksperiencë, rritemi edhe më shumë, njihemi me njëri-tjetrin dhe e ndihmojmë kombëtaren. Kjo bën që të mund të ecim edhe më lart”, ka përfunduar Gjuzi.