U-16 / Beqiri dhe lojtarët kuqezi: "Jemi gati për UEFA Development" (VIDEO) - FSHF

U-16 / Beqiri dhe lojtarët kuqezi: “Jemi gati për UEFA Development” (VIDEO)

Shqipëria e 16 vjeçarëve është duke vazhduar përgatitjet intensive në prag të turneut UEFA Development Tournament, që fillon nesër, ku kuqezinjtë do të debutojnë kundër Lituanisë, në orën 14:00. Kjo ndeshje do të zhvillohet në Qendrën Sportive Kamëz, ashtu si edhe ndeshja hapëse e turneut, ajo ndërmjet Algjerisë dhe Gjeorgjisë që fillon në orën 11:00.

Në prag të debutimit në këtë turne ka folur dhe trajneri Elvin Beqiri, i cili shfaqet i kënaqur nga skuadra në këto ditë të para të grumbullimit. “Këto ditë të para të grumbullimit gjëndja e skuadrës duket e mirë. Në këtë grumbullim kemi disa lojtarë që vijnë për herë të parë, një pjesë e rëndësishme e skuadrës ka qënë dhe më përpara pjesë e U-16 dhe U-17. Shpresojmë shumë të kemi një paraqitje të mirë, këto seanca stërvitore ishin pozitive, skuadra më duket e impenjuar. Çdo gjë po na shkon mirë, urojmë që të shkojë mirë gjithçka deri në fund të turneut. Lojtarë të talentuar për të ardhmen? Ne shpresojmë, puna jonë e tillë është, që të nxjerrim sa më shumë element të cilët do të jenë baza e Kombëtares A. Shpresojmë që të kenë një vazhdimësi sa më të mirë, që të jenë pjesë e skuadrave kombëtare, si dhe të kenë një paraqitje të mirë edhe në nivel klubesh. Ne punojmë që të përzgjedhim elementët më të mirë dhe të arrijnë deri në Kombëtaren e madhe. Objektivi jonë në çdo skuadër kombëtare është përzgjedhja e sa më shumë elementëve cilësorë, të cilët do të na vlejnë për vazhdimësinë por edhe për aktivitetin kryesor që kemi, ku në muajin tetor do të luajmë ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Europian. Shpresojmë që të arrijmë edhe rezultate, për të pasur një motivim më shumë në skuadër por edhe për ne si staf që të kemi një stabilitet në rezultate, por ajo që mbetet kryesore është paraqitja e këtyre lojtarëve që të jenë gjithmonë në nivelin më të mirë”.

Shumë entusiast për këtë grumbullim duket dhe Romeo Abazaj, djali i ish-futbollistit të Kombëtares shqiptare, Eduard Abazi. “Jam Romeo Abazaj, 15 vjeç, vij nga Rio Ave në Portugali. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, jemi stërvitur shumë, jemi një grup i bashkuar. Ndihemi gati për keto ndeshje, për këtë turne ku do të luajmë tre ndeshje. Jam shumë I lumtur që luaj për kombëtaren e Shqiperisë, dua të ndjek gjurmet e babait tim, që ka qenë një lojtar shumë i mirë. Idhulli im në kombëtaren shqiptare është Elseid Hysaj”.

Për mikrofonat e FSHF.tv ka folur edhe Renaldo Torraj, 15 vjeçari vlonjat që vjen nga Tottenham. “Për mua ky është grumbullimi i dytë. Ndihem shumë mirë, jemi të bashkuar të gjithë çunat. Gjithçka po shkon shumë mirë, është një eksperiencë shumë e mirë. Ne jemi gati, jemi të përgatitur për këto ndeshje – ka theksuar Torraj, që më pas ka rrëfyer ëndrën e tij – Ëndrra ime është që të luaj në Champions League, në nivele të larta. Për momentin ëndrra ime është të kem një kontratë profesionale. Kur luan kombëtarja shqiptare e ndjek nga televizori, dua të luaj për Shqipërinë, është shumë bukur. Idhulli im në kombëtaren shqiptare është Rey Manaj, luaj në të njëjtin pozicion. Por idhulli im në futbollin europian është Eden Hazard”, ka përfunduar Renaldo.