U-15 / Shqipëria luan ndeshjen e parë të turneut miqësor me Kosovën - FSHF

U-15 / Shqipëria luan ndeshjen e parë të turneut miqësor me Kosovën

Shqipëria U-15, e drejtuar nga trajneri Armand Dama, ka zhvilluar sot në Shkup ndeshjen e parë të turneut miqësor “Friendly Development Tournament” kundër bashkombasve të Kosovës. Ndeshja ka qënë e bukur dhe shumë e luftuar, dhe është mbyllur me rezultatin 2-1 për Kosovën.

Ndeshja fillon menjëherë me gol, me kuqezinjtë që shënojnë në minutën e 7-të me anë të numrit 8, Syla. Loja është e bukur, të dy skuadrat janë të orientuara drejt sulmit por pjesa e parë mbyllet me golin e shënuar që në startin e saj. Pjesa e dytë fillon me të njëjtën lojë, skuadrat zhvillojnë një lojë sulmuese dhe me shumë raste. Trajneri Dama vendos të kryejë plot 8 zëvëndësime dhe ritmi skuadra tonë bie disi, duke ardhur në minutën e 70-të ku Kosova ka barazuar rezultatin. Kuqezinjtë e vegjël surprizohen në minutën e dytë shtesë, në të 82-të, ku kanë pësuar dhe golin e dytë që vulosi dhe rezultatin final të ndeshjes.

Shqipëria zbriti në fushën e lojës me këtë formacion: Poljana; Muca; Hasango; Gjergji; Musta; Hysa; Kasa; Syla; Kaba; Sherifi; Xhixha (U aktivizuan: Gjergji; Basha; Kasnollari; Celkupa; Tresa; Alla; Fikaj; Shtraza)