Turneu i Ekipeve Përfaqësuese Rajonale, zhvillohen triangolaret - FSHF

Turneu i Ekipeve Përfaqësuese Rajonale, zhvillohen triangolaret

Ditën e sotme janë zhvilluar triangolaret e turnet të Ekipeve Përfaqësuese Rajonale, mosha U-13, U-15, U-17. Ky turne organizohet nga Departamenti i Futbollit me qëllimin për të ndjekur nga afër të gjithë elementët e spikatur në të gjithë Shqipërinë.

Ekipet Përfaqësuese Rajonale janë stërvitur gjatë të gjithë vitit sipas një programi stërvitor të përcaktuar më parë dhe kanë zhvilluar ndeshje stërvitore ndërmjet tyre. Seleksionimi, vëzhgimi dhe furnizimi i ekipeve kombëtare me elementët më të mirë nga e gjithë Shqipëria është objektivi i këtij turneu. Gjatë të gjithë sezonit ekipet përfaqësuese të Zyrave Rajonale të FSHF në Tiranë, Elbasan, Fier, Korçë, Durrës dhe Shkodër, kanë zhvilluar stërvitje dhe ndeshje me ekipet e tyre U-13, U-15 dhe U-17. Triangolaret për të gjithë moshat, janë zhvilluar në Qendrën Sportive Kamëz dhe Kompleksin Tropikal, për të përcaktuar ekipet finaliste të cilat do ti zhvillojnë ndeshjet e tyre në Elbasan Arena, të mërkurën, më 26 Qershor, duke filluar nga ora 16:00.

Trajneri i kombëtares U-15, Armand Dama u shpreh:”Sic dihet Shqipërinë e kemi ndarë në 6 zona për organizimin e futbollit dhe seleksionimet e para i kemi filluar në secilën prej tyre. Më pas zhvillojmë turne midis zonave për të parë sërisht gjendjen e tyre, në mënyrë, që të bëjmë seleksionimin më të mirë të mundshëm. Kemi bërë një ndarje 3 zona të veriut dhe 3 të jugut, ku fituesja e secilit grup për cdo moshë do të ndeshet në finalen që do të luhet në datë 26 qershor ora 16:00 në stadiumin “Elbasan Arena”. Unë mendoj se cdo vit ne vijmë duke u përmirësuar si pjesa profesionale e trajnerëve por edhe lojtarë me nivel cilësor. Gjithashtu futbollistë të talentuar kemi edhe tek shqiptarët qe jetojnë jashte vendit tonë.”