Tryeza për Reformën në Sport, Duka: “Koha për një reformë të thellë ligjore”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i shoqëruar nga Sekretari Përgjithshëm Ilir Shulku, mori pjesë në tryezën e konsultimit “Lufta kundër dhunës në sport. Ndryshimet në Kodin Penal”. Në këtë tryezë të organizuar nga Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, morën pjesë drejtuesit e të gjithë federatave sportive dhe u diskutua në lidhje me ndryshimet që kërkohen të bëhen në Kodin Penal për të luftuar dhunën në sport.

Ministrja Shahini dhe Zv. Ministri Konstandin Shkurti u ndalën të theksojnë në fjalën e tyre se dhuna e shfaqur në sport në Shqipëri është tentuar të luftohet nga vetë Federatat sportive por masat që kanë marrë këto Federata kanë qënë të pamjaftueshme dhe nuk kanë arritur ti japin përfundimisht fund dhunës. “Ka ardhur momentin që të ndërmarrim ndryshime dhe masa më strikte për adresimin e këtij fenomeni. Në këtë kuadër, për parandalimin e dhunës në sport, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë ngritur një grup pune dhe kanë hartuar disa ndryshime në Kodin Penal”. Përfaqësuesit e Federatave të pranishme në këtë tryezë nënvizuan rëndësinë që ndryshimet mos të ngelen vetëm te Kodi Penal, por ti kushtohet një debat i madh ndryshime ligjore që kanë të bëjnë me aspektin financiar, duke parë vështirësitë që ka sot sporti në Shqipëri.

Presidenti Duka falenderoi Ministren Shahini per organizimin e tryezës konsultative dhe vëmëndjen ndaj sportit. “Më vjen mirë që jemi mbledhur në këtë tryezë për të folur për minimizimin e akteve të dhunës në sport. Unë nuk besoj se ne këtu jemi ekspert që mund të bëjmë një diskutim mbi nivelet që duhet ndërhyrë në Kodin Penal për të ndihmuar eliminimin e fenomeve të dhunës. Nuk mund të kundërshtoj asnjë qëndrrim të kolegeve të mi. Niveli i ekspertëve që i ka hartuar ka parashikuar disa masa që të përfshihen në Kodin Penal. Duhet të ketë një saktësim, që të mos ngatërrohet kondravajtja penale për spektatorët me pjesën sportive, Kodi Penal në asnjë rast nuk duhet të ndërhyjë në drejtësinë sportive. Do doja që të ketë përcaktime më të qarta, që të ketë sa më pak subjektivizëm. Vëmëndja e Qeverisë dhe e politikës ndaj sportit nga viti 1990 e deri më sot nuk ka qënë kurrë në lartësinë e duhur, nuk kemi qënë kurrë në qendër të vëmëndjes dhe vazhdojmë të jemi në të njëjtën qasje dhe sot. Mënyra sesi Shqipëria do ta drejtojë sportin, nëpërmjet një ministrie që ka brenda Arsimin, Rininë dhe Sportin, më duket e vështirë. Me vetëm një zëvëndës ministër që nuk ka një aparat nuk besoj se mund të prodhojmë shumë. Një zëvëndës ministër nuk mund të prodhojë as strategji për futbollin dhe as projekt ligje, kjo për faktin se nuk ka një administratë dhe nuk ka një buxhet të dedikuar. Shqipëria duhet të ketë patjetër një institucion i cili përgjigjet vetëm për sportin, gjithmonë nëse Shqipëria e ka në synim të ketë sport në këtë vend. Nëse e konsiderojmë sportin të rëndësishëm duhet të ndryshojmë qasje. Ka ardhur momenti që asnjë sport të mos vijë në dyert e Ministrisë për të kërkuar lëmoshe, por të ndërtojmë një paketë ligjore që ti bëj këto sporte të zhvilluara, të kenë mundësi të mbajnë veten. Realisht kam dyshime nëse e sigurojnë mbijetesën, luftojnë shumë që të mbijetojnë. Duhet një reformë e thellë ligjore. Ne kemi bërë një draft me propozimet tona për të ndërhyrë në disa ligje gjatë tryezës që zhvilluam me Kryeministrin Rama. Nëse nuk bëhet këto ndryshime në Ligjin për Sportin, Ligjin për Sponsorizimet, Ligjin për të ardhurat personale, Ligjin për TVSH-në dhe nxitjen e investimeve në sport. Ne nuk kemi një strategji të qeverisë shqiptare sesa Pallate Sporti do të ndërtohet në këtë vend në pesë vitet e ardhshme, sa palestra për peshngritje apo mundje e fusha futbolli. Sot në Tiranë luajnë futboll 8 mijë fëmijë. 50 fëmijë është standarti për të luajtur në një fushë, do të thotë që Tirana duhet të ketë 160 fusha futbolli. Kjo tregon situatën ku jemi sot. Eliminimi i dhunës është shumë i rëndësishëm, por janë po ashtu shumë të rëndësishme edhe këto të tjerat për të pasur sport, për të pasur federata, për të pasur klube. Duhet të ndërtojmë një infrastrukturë ligjore që të zhvillohen, të rriten, dhe jo të kërkojnë lëmoshë. Për tu rikthyer ke futbolli, sporti që unë përfaqësoj sot në këtë tryezë, duhet të them se futbolli është një industri e fuqishme. Një industri që ka dhënë rezultate jo të këqija kohët e fundit, por që mund të shkojë akoma më përpara dhe ndryshime ligjore që ne kërkojmë nuk janë ndryshime për ti falur futbollit. Këto janë ndryshime ligjore ku Qeveria investon për të fituar nga futbolli si industry. Nëse investohet në futboll, ato para rimerren. Nuk janë para të investuara dhe të falura. Sot nuk kemi klube të mirorganizuara, nuk jemi me një bazë ligjore të fortë. Kjo është arsyeja pse duhen bërë të gjithë ato ndryshimet që unë kam rënditur më lart. Besoj se të njëjtën gjë mendojnë edhe kolegët e mi sot në këtë sallë. Duke pasur këtu Ministren Shahini duam që ta kërkoni fort këtë ndryshim në Qeveri. Ne duam më shumë vëmëndje, ne kërkojmë një institucion të dedikuar për sportin që të ketë strategji të qarta për sportin. Nëse do të ishte një institucion që ka objektiva të qarta për sportin gjithçkush do të dinte se çfarë do të bëhej. Një nga ligjet që do ta ndihmonte më shumë sportin është Ligji për Sponsorizimet. Unë kam pasur një takim me Ministren e Financave pak ditë më parë, dhe më  vjen keq të them se nuk shof asnjë mundësi që ai propozim që ne kemi bërë të pranohet. Ju duke qënë nga Kosova, na sillni vetëm Ligjin e Sponsorizimit që aplikohet në Kosovë, asgjë më tepër”.