Trajneri Reja pas Lituanisë: Meritonim 3 pikët, na u mohua një penallti - FSHF

Trajneri Reja pas Lituanisë: Meritonim 3 pikët, na u mohua një penallti

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, ka deklaruar se kuqezinjtë meritonin 3 pikët dhe se u mungoi fati në transfertën me Lituaninë, që përfundoi në barazim 0-0. Duke folur në konferencën për shtyp pas ndeshjes, tekniku italian shprehur keqardhjen që skuadra nuk arriti dot të gjente golin, ndërsa theksoi se gjyqtari na mohoi një penallti neto në pjesën e parë pas prekjes së topit me dorë në zonë nga një mbrojtës lituanez.

Ja edhe përgjigjet e tij për pyetjet e gazetarëve të pranishëm:

– Në dy ndeshje ndaj Lituanisë Shqipëria nuk ka shënuar asnjë gol. Ku mendoni se qëndron problemi, të sulmi i Shqipërisë apo ishte e fortë shumë mbrojtja e Lituanisë?

– Në dy ndeshjet kemi krijuar të paktën 8-9 raste të pastra për shënim, por nuk kemi shënuar asnjë gol. Për më tepër i kemi dhuruar një gol Lituanisë që përfitoi edhe pa bërë asnjë gjuajtje tjetër në portë. Është e qartë se nuk e kemi bërë me dashje, por nuk arrijmë të shfrytëzojmë këto mundësi që krijohen. Para portës duhet të jesh gjakftohtë, diçka që ne nuk e kemi treguar në dy ndeshjet me Lituaninë.

– Si e keni parë Lituaninë, duke krahasuar ndeshjen e parë në Tiranë me ndeshjen e Vilniusit?

– Më ka bërë më përshtypje ndeshja e parë në Tiranë, ku Lituani bëri një ndeshje të mirë. Nuk pati mundës për shënim, por tregoi se ishte më e mirë se sa në ndeshjen e dytë në Vilnius. Ne mund ta fitonim ndeshjen që në pjesën e parë, sidomos në 30 minutat e para luajtëm mirë, madje edhe në pjesën e dytë kemi krijuar raste. Ne meritonim të paktën në këto dy ndeshje, por nuk patëm fat në finalizim.
Për të mos harruar episodin e pjesës së parë, kur ne na u mohua një penallti neto. Një mbrojtës i Lituanisë u transformua në portier, sepse e kishte dorën e hapur dhe e ndaloi topin haptazi me dorën. Ishte një penallti flagrante, unë nuk e di se si nuk e pa gjyqtari këtë penallti. Unë nuk ankohem kurrë për gjykimin, por kjo që ndodhi ishte evidente.

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes përkrah trajnerit ishte i pranishëm edhe kapiteni Etrit Berisha. I pyetur në lidhje me mungesën e golit në dy ndeshjet ndaj Lituanisë, gardiani kuqezi u shpreh:

“Unë mendoj që gjëja më e rëndësishme është që tani kemi një lojë tonën, një identitet të kësaj skuadre dhe mendoj që në këto dy ndeshje na ka munguar vetëm goli. Duke marrë parasysh që ndeshja e parë me Lituaninë ishte një ndeshje e dobët, mendoj që ndeshja e dytë ishte shumë më e mirë dhe kishim mundësi të fitonim. Mirëpo, fatkeqësisht kur humb shumë raste atëherë edhe vetëbesimi i lojtarë ulet disi. Gjithsesi mendoj se gjithçka është në duart tona, pasi jemi skuadër më e mirë dhe mendoj se është shumë e vështirë për Lituaninë që të fitojë dy ndeshjet e mbetura”.