Trajneri Reja & kapiteni Berisha në konferencë për mediat pas ndeshjes me Kazakistanin - FSHF

Trajneri Reja & kapiteni Berisha në konferencë për mediat pas ndeshjes me Kazakistanin

Trajneri i ekipit Kombëtar shqiptar, Edoardo Reja dhe kapiteni i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha kanë dalë mbrëmjen e sotme në një konferencë për mediat, pas barazimit 0-0 me Kazakistanin. Tekniku kuqezi theksoi se skuadra kuqezi jonë bëri një paraqitje të mirë, por i mungoi finalizimi si dhe shprehu keqardhjen për rastet e humbura.

Ndërsa kapiteni Berisha nga ana tjetër, u shpreh se ekipi krijoi raste dhe u shfaq mirë në repartin difensiv dhe se duhet ta kishte fituar ndeshjen.

Në fillim ishte trajneri Reja ai që iu përgjigj pyetjeve :

-Mister Reja, një koment të shkurtër për ndeshjen, kemi parë vazhdimisht që flisnit me gjyqtarin e katërt. Kishte kaq shumë rezerva për arbitrimin?

-Normalisht që nuk isha dakord për të gjitha vendimet që mori gjyqtari prandaj edhe protestova në disa raste, por të gjithë gabojmë, edhe arbitrat gabojnë, edhe lojtarët, edhe ne trajnerët. Por kisha frikë sepse në një ndeshje ai ka dhënë 12 kartonë të verdhë dhe pata një moment që i druhesha kësaj pjese, pra që mund të komplikonim gjithçka, sepse gjyqtari ndonjëherë dha disa faulle që nuk ishin as faulle, jo më pastaj të flasim për kartonat e verdhë. Por gjithsesi mund të them që shkoi mirë në këtë aspekt.

– Një koment për kundërshtari, si t’u duk paraqitja e Kazkaistanit dhe si e shikoni situatën në grup pas ndeshjes së tretë?

-Jam i impresionuar nga Kazakistani. E kam ndjekur në disa ndeshje dhe më pëlqen shumë si skuadër, por ne arritëm ta vinim në vështirësi sot. Bëmë një paraqitje të mirë, por na mungoi goli. Patëm 3-4 raste shumë të mira dhe them se Shqipëria sigurisht meritoi më shumë se një barazim në këtë ndeshje.

Për sa i përket grupit, them se jemi në një nivel pak a shumë të gjitha si skuadra. Gjithsesi, mendoj se diferencën deri në fund mund ta bëjnë ato skuadra që kanë finalizim më të mirë, pra kanë një sulm më cilësor.

-Shqipëria nuk arriti të shkojë te goli në këtë ndeshje. Kemi parasysh që mungonte një sulmues si Cikalleshi, i cili aktivizohet në kampionatin turk. Përse nuk ishte ai i grumbulluar në këtë ndeshje?

-Sot, siç e dini të gjithë, problem kryesor është pandemia e Covid-19. Ne kishim 5-6 mungesa, që vinin pikërisht për shkak të pandemisë. Kemi pasur shumë vështirësi për të grumbulluar të gjithë lojtarët e mundshëm, shumë klube nuk i linin lojtarët të vinin pikërisht prej pandemisë. Unë uroj që në nëntor t’i kemi të gjithë lojtarët në dispozicion. Ne kishim thuajse 10 lojtarë të rinj që erdhën për herë të parë në kombëtare.

Përgjigjet e kapitenit Etrit Berisha

-Në fillim të ndeshjes vumë re që patët një përplasje. Si ndiheni? A e kaluat atë moment?

-Një koment për ndeshjen, si e vlerësoni këtë rezultat dhe si e vlerësoni kundërshtarin?

– Ndeshja për ne ka qenë e rëndësishme. Në fillim pata një përplasje me dy lojtarë pasi topi ngeci në fushë ku një pjesë aty nuk ishte edhe aq mirë, por pastaj gjithçka shkoi mirë dhe më gëzon fakti që këtë ndeshje mund të them që mund të kishim dalë shumë lehtë duke fituar të paktën 3-0. Ajo që është me rëndësi është shpirti i ekipit që është treguar sot në fushë dhe kemi krijuar shumë shanse.

Mbi të gjitha, në repartin difensiv kemi qenë shumë mirë dhe me nivel, duke shkuar edhe në fazën e sulmit dhe duke u munduar që të krijojë njëlojtar më shumë. Kemi arritur të krijojmë disa shanse ku nëse do ishim më gjakftohtë do shënonim gol. Mirëpo ajo që është e rëndësishme është që me këtë shpirt të shkojmë edhe në ndeshjen tjetër sepse është shumë e rëndësishme për ne që mos ta lëmë Lituaninë që të ketë avantazh.