Konferenca për mediat / Trajneri Reja dhe Kallaku: Të lumtur me fitoren! - FSHF

Konferenca për mediat / Trajneri Reja dhe Kallaku: Të lumtur me fitoren!

Shqipëria ia doli të merrte ditën e sotme një fitore me rezultatin përfundimtar 3-1, kundër ekipit të Kazakistanit. Pas ndeshjes, në konferencën për mediat, mesfushori Sherif Kallaku dhe trajneri Edoardo Reja folën për këtë fitore të parë në stadiumin “Air Albania”. Mesfushori Kallaku u shpreh i lumtur për fitoren. Ndërsa trajneri Reja bëri një analizë të shkurtër të ndeshjes duke u shprehur se skuadra mori një rezultat të mirë. Shqipëria gjendet në vendin e dytë me 8 pikë, teksa në vendin e parë gjendet Bjellorusia, ekipi ndaj të cilit, Kombëtarja jonë do të luajë ditën e mërkurë, në shtëpi.

Në fillim, pyetjeve të gazetarëve iu përgjigj Kallaku:

-Sherif, lojë shumë e bukur. Edhe vetë, pavarësisht se trajneri vendosi të ndryshonte pak taktikën,  a ndiheni të kënaqur nga kjo  fitore? Ju jep edhe besim ndoshta për ndeshjen me Bjellorusinë, që është edhe finalja e këtij edicioni të Shqipërisë?

-Normalisht jam shumë i lumtur për këtë fitore sepse na jep një vazhdimësi shumë e mirë. Tani na pret edhe një finale kundër Bjellorusisë dhe shpresoj ta kalojmë edhe atë. Gjithsesi sot ishte një ndeshje shumë e fortë që kishte edhe atë presionin e vet, por ne arritëm ta zgjidhnim shumë mirë dhe jam shumë i lumtur për fitoren.

-Sherif, keni luajtur në krah bashkë me Uzunin. Si t’u duk?

-Skema është e atillë që unë duhet të hapem gjithmonë sepse e kërkon vetë trajneri këtë , si unë apo Memushaj në krahun tjetër. Mendoj që jam përshtatur mjaft mirë por gjithsesi është ndeshja ime e dytë që unë luaj ashtu sepse të parën e kam zhvilluar në Kazakistan. Por me Uzunin ndihem mirë sepse e njoh shumë mirë si lojtar sepse kam luajtur edhe te Laçi dhe të them të drejtën nuk është se kam pasur ndonjëherë vështirësi. Vetëm vështirësia më e madhe sot ka qenë terreni i vështirë.

-Dy herë titullar me trajnerin Reja, a e ndjen besimin që të jep trajneri, pavarësisht se roli nuk është ai natyrali i yti?

-Normalisht në Kombëtare pak rëndësi ka roli. Në Kombëtaren e mira është që të jesh dhe të japësh gjithmonë më të mirë, kudo që të fut trajneri, edhe portier. Por, mundohem shumë të stërvitem fort dhe t;ia shpërblej besimin sepse kjo është ajo që duhet të bëj më mirë.

-Mendon tani që do jesh një nga preferencat e trajnerit Reja, apo do të duhet të luftosh shumë për ta mbajtur këtë besim?

-Mendoj se përderisa jam pjesë e Kombëtares, mendoj që jam edhe preferencë e trajnerit, por gjithsesi kjo është një pyetje që duhet t’ia bësh trajnerit dhe ai mund ta dijë më mirë përgjigjen.

Më pas, fjalën e mori trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja:

-Mister, si iu duk paraqitja e sotme? Kemi bërë një lojë ofensive, por në fillim kishim edhe disa probleme në mbrojtje.

-Në 5 minutat e para, u duk sikur ishim përgjumësh në fushë dhe na krijuan probleme. Nuk patëm asnjë iniciativë. Kishim rënë dakord që ta nisnim ndeshjen në mënyrë më agresive, pra duke sulmuar, por nuk ndodhi kështu. Pas 5 apo 10 minutash filluam të bënim aksione më të mira dhe gjetëm golin. Pas golit të dytë na ndodhi ai aksident le të themi. Vuajtëm shumë për 20 minuta pas atij goli aksidental që na ndodhi.

Ne sapo kishim shënuar golin e dytë, por pastaj na ndodhi kjo dhe na kushtëzoi për pjesën tjetër të ndeshjes dhe kemi vuajtur deri në fund të pjesës së parë. Unë kisha zgjedhur Kallakun dhe Memushajn, të cilët janë lojtarë që luajnë shumë me topin dhe janë teknikë por në aspektin fizik ato patën një farë superioriteti  dhe krijonin shumë hapësira pastaj për të sulmuar. Në pjesën e dytë krijuam një ekuilibër në skuadër, me hyrjen në fushë të Gjasulës duke krijuar një bosht të mirë në mesfushë. Por që të jemi të sinqertë, terreni i fushës nuk na avantazhoi shumë, sepse na krijonte probleme duke pasur parasysh se ne jemi një skuadër që luajmë shumë me topin, një skuadër teknike.

Por më vjen keq që kemi pësuar dy gola si me Lituaninë, si sonte me Kazakistanin nga dy gabime tonat. Është ndeshja e parë që fitojmë këtu sepse të tjerat nuk shkuan mirë. Shpresoj të fillojmë një cikël të mirë. Rezultati më pëlqen por paraqitja nuk ishte aq e mirë, sa i përket lojës. Por ishte një ndeshje e mirë për rezultatin që morëm.

-Trajneri thotë që ndoshta nuk ishte një ndeshje dhe aq e mirë sipas paraqitjes së ekipit, megjithatë kjo është dukur sikur ka qenë Shqipëria më e mirë në ndeshjet e fundit. Spektakolare, offensive, krijon raste, pavarësisht se çedon ndonjëherë dhe i lejon kundërshtarit ndonjë rast më tepër apo pëson golin. Do duhet një paraqitje e tillë përballë Bjellorusisë, që është finalja e këtij edicioni?

-Për rezultatin jam i kënaqur, por ndaj Bjellorusisë mendoj se duhet të  përmirësohemi shumë në aspektin e lojës. Duhet më shumë agresivitet. Ne edhe në ndeshjen e parë me Bjellorusinë, nuk është se bëmë një paraqitje po aq të mirë, por morëm tre pikët dhe kjo i fshin të gjitha. Por nga loja nuk jam shumë i kënaqur, duhet të jemi më shumë agresivë. Jam dakord që fituam 3-1 dhe ishte një rezultat i mirë, por me lojën nuk jam i kënaqur. Ne kemi luajtur më mirë edhe ndaj Kazakistanit apo Lituanisë, por nuk arritëm dot të merrnim maksimumin dhe morëm vetëm barazim. Në pjesën e parë patëm disa raste, nuk është se nuk krijuam raste. Krijuam rastet tona me Uzunin, me Hysajn, por kur të vijnë raste të tilla duhet t’i shënosh. Nuk po them që t’i shënosh të gjitha, por të paktën gjysmën e atyre rasteve duhet t’i shfrytëzojmë.

-Mister, sa do e ndjeni mungesën e Abrashit në ndeshjen e fundit?

-Abrashi është një lojtar i rëndësishëm për ne në mesfushë, sepse është lojtar që rikuperon topa dhe krijon. Do na mungojë shumë. Nuk do të merrem shumë me faktin që do na mungojë Abrashi, por me faktin që më duhet të ndërtoj skuadrën, të ndërtoj formacionin. Ai që mund ta zëvendësojë është Laçi, i cili ishte i skualifikuar sot. Me siguri do të fillojë ai titullar. Ka një karakteristikë pak më ndryshe se Abrashi, është më i shkathët, më pak agresiv, por mund të na japë shumë. Gjithsesi të shohim deri të mërkurën se çfarë do të vendosim. Ata që do të zbresin në fushë do të bëjnë një paraqitje të nivelit shumë të lartë.