Trajneri Reja dhe kapiteni Memushaj në konferencën zyrtare për shtyp në Moldavi - FSHF

Trajneri Reja dhe kapiteni Memushaj në konferencën zyrtare për shtyp në Moldavi

Kapiteni i kombëtares për ndeshjen Moldavi-Shqipëri, Ledian Memushaj dhe trajneri Edoardo Reja, kanë dalë në konferencën zyrtare, 1 ditë përpara ndeshjes zyrtare, e vlefshme për eliminatoret e EURO 2020.

Trajneri Reja theksoi: “Ishim pak nervozë pas ndeshjes me Turqinë. Më shumë për rezultatin se sa për ndeshjen. E rëndësishme është që të mbajmë këtë intensitet. Rezultatet do vijnë. Kemi nevojë që të vijojmë edhe me rezultatet, jo vetëm me lojën. Më duhet akoma pak më shumë kohë për 11-shen titullare. Nuk mendoj se do bëj ndërrime domethënëse, do bëj pak ndërrime. Nëse i kam të gjithë në formën optimale, nuk do lëviz shumë. Do vendosim nesër. Dua të shoh këtë vazhdimësi në ndeshjen me Moldavinë. Skuadrat e mia nuk nënvlerësojnë asnjë kundërshtar. Moldavia është një ekip i mirë. Edhe në Elbasan na vuri në vështirësi. Luajnë topin mirë. Do futemi me të njëjtën vendosmëri në fushë për të bërë maksimumin. Edhe Moldavia mund të na vërë në vështirësi. Ne e dimë që të luash këtu nuk është e thjeshtë për ne. Ndeshjen e parë na vunë në vështirësi. Shënuam vetëm në fund. Ne do studiojmë si do vendosen në fushë ata, dhe do i përgjigjemi më pas. Do më pëlqente të vazhdoja punën me Shqipërinë, por duhet të mbyllim këtë cikël tani. Duhet të studiojmë si shkuan gjërat në këto eliminatore, të shohim dhe pikët. Është një pyetje ku duhet të përfshihet edhe presidenti. Do isha i lumtur për të vazhduar me Shqipërinë. Skuadra më jep stimul dhe përgjigje pozitive. Do doja të vazhdonim këtë rritje dhe vazhdimësi, për të parë se deri kur do arrijmë me këtë ecuri. Të përballem me një eksperiencë si e imja, normale që është e vështirë. Edhe ai do na ketë studiuar, dhe do na ketë ngritur ndonjë grackë. Me rëndësi është që të mos biem në grackë. Nëse jemi këtu në këto pozicione, do të thotë se jemi duke bërë mirë, sepse përndryshe nuk do interesohej kush për ne. Objektivi ynë është vendi i dytë, do luftojmë çdo ndeshje për pikët maksimale. Ai mbetet objektivi ynë primar.”

Kapiteni Memushaj u shpreh: “Roli im si kapiten është normal dhe mendja është te ndeshja e nesërme që është akoma më e rëndësishme. Këtë e kam të qartë unë, por edhe shokët e skuadrës. Do të hyjmë në fushë për më të mirën. Duhet që të përmirësohemi si ekip, por edhe me Turqinë treguam nga ana teknike dhe taktike që jemi përmirësuar shumë. Këto janë nga ato ndeshje që nga një anë tregojnë vështirësinë e tyre, por nga ana tjetër tregojnë se sa është “pjekur” ky ekip. Nuk ka faj vetëm sulmi, por edhe ne mesfushorët duhet që të përmirësohemi.”