Trajneri Reja dhe kapiteni Berisha në konferencë për shtyp para Lituanisë - FSHF

Trajneri Reja dhe kapiteni Berisha në konferencë për shtyp para Lituanisë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edi Reja, së bashku me kapitenin Etrit Berisha dolën në konferencën zyrtare për shtyp në Vilnius para ndeshjes me Lituaninë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, trajneri italian vlerësoi ekipin kundërshtar, por theksoi se kuqezinjtë vijnë për të marrë pikë. Gjithashtu, trajneri i përfaqësueses komentoi edhe zgjedhjet e tij dhe lojtarët e rinj që ka grumbulluar në këtë takim. Shqipëria përballet me Lituaninë ditën e mërkurë në orën 18:00 (me orën tonë lokale) në ndeshjet e katërt të vlefshme për Ligën e Kombeve.

– Mister, Lituania është e vetmja skuadër në grup që e ka mundur Shqipërinë. Si e shikon trajneri Reja rivalitetin mes këtyre dy skuadrave dhe sfidën e nesërme?
– Lituania ka luajtur mjaft mirë në ndeshjen e parë në Tiranë, kanë ushtruar presing të vazhdueshëm në të gjithë fushën dhe e njihnin mirë lojën tonë, duke na hequr totalisht iniciativën. Ne kemi pasur pak mundësi për të konkretizuar dhe është e qartë që për një gabim erdhi edhe goli që vulosi gjithçka. Ndeshja mund të përfundonte fare mirë edhe me rezultatin 0-0, që sipas meje do të ishte rezultati më i drejtë.
Sa i përket synimit tonë, ne vijmë për t’i marrë pikë Lituanisë, e dimë që nuk është e lehtë, sepse e dimë që është fizikisht shumë mirë, bën presing dhe ruan intensitet të lartë fizik përgjatë 90 minutave. Duhet të kemi shumë kujdes dhe të kërkojmë të shfrytëzojmë hapësirat që do të na krijohen e të konkretizojmë volumin e lojës që do të bëjmë.
– Që nga ndeshja e parë e Tiranës skuadra shqiptare ka shumë ndryshime, rreth 7 të rinj. Mungon edhe kapiteni Hysaj. Si është atmosfera në kombëtaren shqiptare dhe gjendja si në aspektin psikologjik ashtu edhe atë fizik?
– Ekipi aktualisht ka 10 lojtarë të rinj, por janë 10 emra që kanë shumë cilësi dhe e meritojnë këtë grumbullim. I kemi ndjekur në kompeticione të ndryshme dhe sigurisht që eksperiencë nuk e kanë. Mirëpo, një talent është i zoti edhe kur është 30 vjeç, ashtu siç është i zoti kur është 18 vjeç. Kështu në këtë këndvështrim pres një paraqitje të mirë, mbi të gjitha nga të rinjtë apo ndonjë tjetër që ka mundësi të debutojë ndaj Lituanisë. Duhet të shohim përpara, është një program i ndërtuar nga Federata Shqiptare e Futbollit për të afruar në skuadër sa më shumë të rinj. Kisha dëshirë ta bëja këtë në mënyrë më graduale, por jam i detyruar për faktin se nuk kemi opsione të tjera. kam shumë besim te këto të rinj dhe jam i sigurt se do të bëjnë një paraqitje të mirë.

Më tej, ishte kapiteni Etrit Berisha ai që iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në konferencën për shtyp.
– Në ndeshjen e parë, Lituani erdhi vetëm një herë në portë dhe shënoi. A mendoni se Lituania është kandidate për të fituar edhe ndeshjen e dytë?
– Unë mendoj që Lituania luajti shumë mirë në ndeshjen e parë. Taktikisht kanë luajtur shumë mirë dhe na kanë vënë në vështirësi. Ndoshta edhe ne nuk kemi bërë ndeshjen më të mirë, që duhet të bënim, por ajo që vlen tani është ndeshja e nesërme, ku ne duhet të jemi jashtëzakonisht të përqendruar dhe të përgatitur. Mendoj që do të jetë një ndeshje kyçe për rrugëtimin tonë në Nations League.
– A mendoni se Shqipëria është në gjendje të marrë 3 pikët në sfidën e nesërme ndaj Lituanisë?
– Në fakt, ndeshja kundër Kazakistanit ka qenë ndeshje pozitive, ku kam parë një grintë shumë më të mirë se në ndeshjen e parafundit kundër Lituanisë. Gjithë djemtë e dinë rëndësinë e kësaj ndeshjeje ndaj nesër duhet të japin 110% për të arritur objektivin tonë. E dimë se kundër Lituanisë kemi humbur ndeshjen e parë dhe nuk duhet të lejojmë që ata të marrin epërsinë.
– Ju jeni portieri i Shqipërisë së Europianit 2016, pra tashmë mund të cilësoheni si një veteran kuqezi. Si i shikoni prurjet e reja dhe ndryshimet e fundit në skuadër?
– Sigurisht që në grup kemi lojtarë të rinj sidomos në këto dy ndeshje. Ka shumë prurje të reja për shkak edhe të mungesave që kemi. Djemtë e rinj kanë kualitete, por ende iu duhet kohë që të luajnë me Kombëtaren dhe të ambientohen. Edhe pse janë të rinj duhet të japin maksimumin e tyre. Patjetër, edhe ne më të vjetrit duhet t’i ndihmojmë me të gjitha mënyrat. Pastaj kur të arrihet vetëbesimi në skuadër, i gjithë ekipi do të përfitojë, si të rinjtë ashtu edhe atë që janë më në moshë.