Trajneri Reja dhe Gjimshiti, konferencë shtypi pas ndeshjes me Lituaninë - FSHF

Trajneri Reja dhe Gjimshiti, konferencë shtypi pas ndeshjes me Lituaninë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja dhe mbrojtësi kuqezi, Berat Gjimshiti, dolën në konferencë për shtyp pas ndeshjes me Lituaninë, e vlefshme për javën e dytë të Ligës së Kombeve.

Fillimisht foli mbrojtësi Gjimshiti, i cili në fjalën e tij theksoi se ishte shumë i zhgënjyer nga humbja dhe se ky rezultat negativ vinte edhe si pasojë e lodhjes fizike.

“Jemi më shumë të mërzitur nga loja, se nuk e prisja që do luanim kaq dobët, gjithë ekipi. Vetëm ata që u futën pjesën e dytë bënë mirë. Uzuni, Roshi dhe Broja, por besoj që ka kështu lojërash që ndodhin, që nuk të ecën dhe kundërshtari është më i fortë dhe duhet pranuar. Normal që edhe lodhje fizike, sepse ka disa lojtarë nga ne që kanë kohë që nuk kanë bërë stërvitje. Unë edhe vetë kam dy javë e gjysëm pushim dhe kam ardhur këtu. Stërvitja e parë ka qenë me Kombëtaren. Kam bërë diçka vetë, po nuk është e njëjtë si të luash me ekipin. Normal që edhe lodhje fizike, por kur je përballë një kundërshtari si Lituania dhe je Shqipëria duhet të luash më mirë. Nuk e kemi nënvlerësuar Lituaninë, kemi parë shumë video. Trajneri na ka bërë me dije që është një ekip që nuk ka frikë ta luajë topin siç edhe u pa është ekip që luan hapur dhe jemi befasuar kur e kemi parë se luan kaq mirë. Kur dolëm nga video, që na tregoi trajneri thamë se këta luajnë mirë. Nuk kemi pasur vetëbesim që ta luanim topin nga mbrapa apo të dilnim nga presingu i tyre. Ata bënin shumë sipër presing dhe thjesht nuk kemi arritur të pasojmë 5 herë bashkë ndoshta. Më shumë me topa të gjatë kemi qenë në rrezik sesa me futboll. Atalanta? Jam shumë i lumtur që kam pasur kaq shumë minuta për herë të parë. Ka qenë një sezon fantastik i gjithë ekipit edhe për mua personalisht. Kur arrin nivelin, e sheh para teje edhe gjysmëfinalen dhe të dhemb kur humb në minutat e fundit sepse kur arrin ato nivele do të shkosh edhe më tepër nuk do të ndalesh. Frikë nga ekipet e vogla? Nuk është frikë. Ndodh që luan kundërshtari më mirë. Ka ndodhur me Andorrë, ndodhi tani por edhe kur luan keq është mundësia që të fitosh me një goditje standarte për të hapur lojën.
Hera e parë si kapiten? – E falënderoj trajnerin dhe nuk mendova shumë për shiritin por mendova thjesht të barazojmë ndeshjen por është krenari e madhe”, – tha Gjimshiti në konferencën për shtyp.

Ndërsa trajneri i ekipit Kombëtar, Edi Reja në fjalën e tij u shpreh: “Ekipi e kishte përgatitur shumë mirë ndeshjen por kishim përballë një ekip si Lituania që ishte dy herë më mirë se ne fizikisht, luante me dopio marsh dhe na vuri shumë në vështirësi. Sigurisht, ishte meritë e Lituanisë që mori këtë fitore. Më shqetëson fakti dhe e kam thënë disa herë këto ditë që nuk jemi në gjendje të mirë fizike, nuk jemi në formë të mirë, kemi shumë lojtarë pa ndeshje. Ne u përballëm me Lituaninë dhe Bjellorusinë, dy skuadra që ishin shumë para nesh në drejtim të përgatitjes fizike. Dy skuadra që e kanë nisur kampionatin e tyre dhe sigurisht që ishin më në formë. Pjesa e dytë ishte pak e vështirë, ata vraponin shumë më shumë se ne dhe sigurisht na vunë në vështirësi dhe këto janë ndeshje që nëse nuk e zhbllokon dot rezultatin bëhet shumë e vështirë për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes. Nuk arritëm të finalizonim dot, ne e nisëm mirë ndeshjen pjesën e dytë, por ndodhi ai gabim dhe kur je në disavantazh pastaj përpiqesh të bësh sforco më të madhe dhe të rikuperosh gabimet. Ne patëm rastet tona për të shënuar, por nuk arritëm t’i shfrytëzonim, një herë me Hysaj pastaj me Laçin. Pastaj ndodhi edhe dëmtimi, gjërat nuk shkuan mirë në këtë mbrëmje. Nuk duhet të rrezikonim, por edhe Lituania u avantazhua nga goli dhe ndeshja u komplikua më pas.
Ndonjë ndryshim nëse do të kthehej edhe njëherë pas? Nuk do të ndryshoja asgjë nëse do kthehesha pas në kohë. Lashë Baren pushim pasi ishte goxha i lodhur dhe bëra mirë. Hodha në fushë Laçin pasi edhe doja ta shikoja dhe të them të drejtën ishte nga lojtarët që vrapoi më shumë dhe luajti mjaft mirë, deri në minutën e 90’ vrapoi dhe nuk pushoi. Nuk do ndryshoja asgjë, pasi edhe këto mundësi kisha dhe sigurisht që dhamë gjithçka. Edhe lojtarët e tjerë që kisha në dispozicion nuk ishin në kushte të mira fizike, por në humbjë të tilla sigurisht që kritikat qëndrojnë dhe unë i pranoj.
Ishte e çuditshme, sepse Lituania u pështat shumë me lojën tonë dhe na vuri në presing gjithë fushës dhe kjo ishte nga ato ndeshje ku mund të shënosh edhe me një korne apo goditje dënimi dhe mund t’ia dalësh, por ne nuk na eci këtë herë dhe Lituania u tregua më e zonja në këtë drejtim. Broja është lojtar shumë i ri dhe nuk ka eksperiencë dhe nuk mund t’i besoja që nga fillimi një ndeshje të tillë, unë i pranoj kritikat për humbjet dhe në zgjedhjet që ne ishim, kaq mund të bënim. Sigurisht unë hodha në fushë edhe Mihaj edhe Laçin, ishin dy nga ndryshimet që bëra në formacion në krahasim me ndeshjen me Bjellorusinë dhe ata luajtën shumë mirë. Edhe Abrashi ka luajtur shumë mirë githashtu por në ndeshje të tilla duhet shpejtësi, duhet teknikë dhe nëse nuk krijon hapësira, nuk mund të jesh agresiv dhe të arrish te finalizimi. E thashë disa herë që Lituania ishte shumë mirë dhe uroj që pas një muaji, kur ne të kthehemi në ndeshjet e kombëtareve të jemi ndryshe, të kemi lojtarë që kanë nisur të luajnë në kampionatet e tyre dhe uroj të marrim maksimumin”, – deklaroi ndër të tjera trajneri kuqezi, Edoardo Reja.