Trajneri i ekipit kombëtar të futbollit Kristian Panuçi në studion e lajmeve të Syri.net ka prekur jo pak tema në lidhje me angazhimin e tij më të fundit në ekipin kombëtar, por edhe suportit dhe besimit që ka nga FSHF për këtë mision. Trajneri i skuadrës kombëtare shqiptare shtoi se ndihet shumë mirë në Shqipëri, edhe se objektivi kryesor është kualifikimi i Shqipërisë në Europianin e vitit 2020. Ja edhe intervista e tij dhënë për gazetarin Alen Xhelili te portali syri.net. Ndërkohë që Panuçi analizoi dhe faktorët që sollën eliminimin e Italisë në fazën playof për kualifikimet e botërorit Rusi 2018-të.
Ja edhe momentet më pikante të intervistës së tij
Panuçi në lidhje me sistemin e lojës në kombëtare dhe…cattenaccio
“Unë kam punuar shumë në vende të huaja, kam luajtur në Spanjë dhe dua ti jap mbrojtjen më të mirë kësaj skuadre. Nuk dua të jem ai që vjen këtu për të thënë, dua që të luaj me skuadrën ofensive… Unë dua një skuadër që të ketë kualitet dhe dua që këto kualitete ti nxjerrin në pah. Sepse Grezda, Rroshi, Memushaj, Sadiku, Cikalleshi, Balaj, Qaka, ai djali i ri që kemi gjetur… janë lojtarë me kualitete. Kur në një kombëtare ke pak kohë për të punuar, kualiteti është ajo që bën diferencën. Ti mund të organizosh një sfilatë të bukur mode, por nëse nuk i ke vajzat e bukura, sfilata del e shëmtuar.
Grinta e instaluar në ekipin kombëtar
“Në ndeshjen e fundit me Turqinë kishim vetëm 9 ditë për të punuar, ndërkohë unë para ndeshjes u bëra komplimente djemve sepse kisha ndjenja mjaft pozitive. Pjesa e parë e ndeshjes me Turqinë ishte pjesa ku doli cilësia e lojës, sepse skuadra ka luajtur shumë mirë në fushë dhe dukej puna e mirë. Në pjesën e dytë ku mbetëm me 10 lojtarë pas daljes së Memushaj, loja u kthye në forcën e karakterit. Kjo skuadër ka treguar se di të luaj futboll, ka treguar se ka karakter dhe nëse luajmë me seriozitet mund të sjellim rezultate të kënaqshme dhe mund të kënaqim edhe popullin shqiptar. Kombëtarja është e hapur për të gjithë lojtaret, këtë periudhë do të udhëtoj nëpër Evropë sepse janë shumë lojtar shqiptarë që mund të luajnë për Kombëtaren, pra unë do të mundohem të zgjedh më të mirët ndër 30, 25 dhe 22 lojtarë që mund të bëhen pjesë e kësaj Kombëtareje, e ndoshta pas 1 viti e gjysmë mund të kemi të tjerë lojtar, si psh Qaka që luante në Rumani dhe nuk e njihte askush, e ndërkohë dje më erdhi sms që e këkojnë Steaua Bukuresht, Kluzh apo dhe Shahktar Donekts. Unë që në ditën e parë që u zgjodha për të drejtuar kombëtaren shqiptare të futbollit, kam një mendim në kokë, t’i rikthej presidentit Duka besimin që ai pati tek unë, duke punuar me profesionalitet dhe përkushtim”.
A është gati Panuçi për ta çuar Shqipërinë në Evropian?
Këtë gjë do ta tregojë koha, unë jam i bindur se kam një skuadër të mirë dhe mund të bëj një punë të mirë duke parë që lojtarët më mbështesin në atë që kërkoj, janë të bindur në punën që bëj. Nuk do të shkoja kurrë kundër zërit të skuadrës. Unë mendoj se këto djem vlejnë shumë më shumë se çka kanë dhënë deri tani dhe nuk dua që ata të humbasin as një milimetër në nivelin e karrierës së tyre kur grumbullohen në kombëtare. Dua ti jap presidentit të FSHF-së Armand Duka besimin që ai më dha mua, duke ja shpërblyer me kualifikimin në Evropian. Nuk ka ditë që unë zgjohem dhe të mos mendoj për këtë Evropian, është një obsesion, më konsiderojnë një person shumë serioz dhe profesionist, kështu që në këtë pikë i vetmi objektiv në jetën time është të dërgoj Shqipërinë në Euro 2020.
Futbolli shqiptar, progresim në rritje të ndjeshme
“Unë mendoj se Shqipëria ka një federatë që funksionon shumë mirë, ka një president si Armando Duka që të gjithë trajnerët mund ta ëndërrojnë. Kur diskutojmë apo flasim me njëri-tjetrin, më lë mua gjithmonë të zgjedh e për këtë më bën të punoj në qetësi të plotë. Nevojitet të kuptojmë se ku ishte futbolli shqiptar 10 vite më parë dhe se ku është tani, e në këtë pikë duhet të themi që ka lulëzuar shumë. Federata po punon shumë me të rinjtë, si Gjermania në 2006 që filloi të punojë me akademitë e futbollit dhe 8 vite më pas arriti të fitojë Botërorin në Brazil. Në futbollin shqiptar po investohet shumë por është e qartë që rezultatet nuk mund të vinë direkt, ashtu si dhe për Italinë nuk mund të vilen frytet shpejt”.
Shqipëria dhe Italia, një ditë bashkë në një fazë finale?
Sinqerisht mua më intereson Shqipëria në këtë moment, mjafton që Shqipëria të triumfojë dhe do të jem shumë i gëzuar, por nqs do të jetë edhe Italia, është e qartë që ndihem mire sepse unë jam italian. Por unë jam një profesionist dhe jam tepër i përfshirë në punën time me Shqipërinë, për të menduar për gjëra të tjera. Është e qartë se nëse Shqipëria shkon në Evropian, më pas do më interesonte nëse Italia është kualifikuar, por ajo që për mua vlen më shumë në këto momente është vetëm Shqipëria.

















